Atentati në Lezhë-Laç/ Aleksandër Deda telefonoi familjarët e i plagosur përshkoi 10 km deri në spital

2 Dhjetor 2020, 14:54

Të tjera detaje shumë të rënda mësohen nga ngjarja e rëndë e mbrëmjes së djeshme në autostradën Lezhë-Laç, ku iu bë atentat biznesmenit 42 vjeçar Aleksandër Deda. Burime bëjnë me dije se policia ka shoqëruar disa persona në lidhje më këtë ngjarje.

Report Tv mëson se Deda pasi u përball me një breshëri plumbash përshkoi 10 km i plagosur deri te spitali, ndërkohë që atentatorët e ndoqën. Një automjet tjetër e ka ndjekur gjatë kohës kur i plagosuri i ishte drejtuar Spitalit të Lezhës. Aleksandër Deda mësohet se ka bërë disa telefonata drejtuar te afërmve të tij dhe i ka vënë në dijeni për ngjarjen.

Pas mjekimit në Spitalin e Lezhës, Deda është nisur për Spitalin e Traumës, ku edhe ndodhet tashmë jashtë rrezikut për jetën. Njeri nga plumbat e ka kapur në pjesën e gjoksit, por pa i prekur organet jetësore.

Ngjarja ndodhi dje rreth orës 17:00 në afërsi të zonës së Rriles, teksa i plagosuri Aleksander Deda, po lëvizte me makinën e tij.

Rezulton se autorët kanë qenë me një automjet tip “Audi” dhe pasi i janë afruar makinës me të cilën lëvizte 42-vjeçari, kanë qëlluar ndaj tij.

Pak minuta pas plagosjes së tij, policia ka gjetur një makinë të shkrumbuar në aksin e vjetër Lezhë-Milot pranë urës mbi lumin Mat, e cila dyshohet se është e autorëve, të cilët nuk janë identifikuar ende. 

Shërbimet e Policisë Lezhë të ndihmuara dhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës kanë  krehur zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve.

    No videos found.