Atletico bëhet 'një me zhgënjimet', buzëqesh Reali me Barcelonën! Mourinho dështon përballë Manchester United

12 Prill 2021, 12:20

Atletico Madrid i ka nisur në seri gabimet për titull dhe këtë e vërtetoi edhe së fundmi kundër Betis. Skuadra e Simeones pas barazimit me Elche-n është ndalur në një tjetër rezultat 1-1 pavarësisht se realizoi që në minutën e pestë me Yannik Carrasco.

Miqtë përfituan nga përgjumja dhe në minutën e 20 baraspeshuan me Cristian Tello, një rezultat që më pas mbeti i stampuar deri në fund të lojës. Gjithsesi pika e fituar i jep kryesimin Atletico-s. Skuadra e Simeone-s mban vendin e parë me 67 pikë, 1 më shumë se Reali ndjekës dhe 2 më shumë se Barcelona e vendit të tretë. Kjo në një kohë kur vetëm pak javë më parë ‘El Colchoneros’ ishte shtatë pikë larg ndjekësve dhe kishin dy ndeshje më shumë për të zhvilluar.

Ndërkohë në Premier League supersfida e javës mes Tottenham-it të Jose Mourinhos dhe ish-skuadrës së tij Manchester United është mbyllur me shifrat 1-3. Pas një goli të anuluar të Cavani-t londinezët kaluan në avantazh me Son në pjesën e parë. Në të dytën më pas barazoi Fred para se Cavani të përmbyste me kokë. Më tej pati kohë edhe për golin e tretë të realizuar nga Grenëood. Me këtë fitore United i vendit të dytë përfiton duke u afruar me City-n kryesues në 11 pikë, por ‘djajtë’ e Solskjaer kanë një ndeshje më pak kur kanë mbetur edhe 6 javë kampionat.

Për Tottenham-in ndërkohë kjo humbje do të thotë jashtë Champions-it për sezonin e ardhshëm. Sakaq Arsenal ka fituar 0-3 kundër Shefield United, por ‘topçinjtë’ gjithsesi mbeten larg zonës së Europës pasi renditen në vendin e nëntë.

Në Itali Atalanta është rikthyer në zonën Champions pas fitores 2-3 kundër Fiorentinës. Skuadra e Gasperinit pas javës së 30 mban vendin e katërt në kampionat me 61 pikë, 2 më pak se Napoli i vendit të pestë.