Atletico Madrid marshon frikshëm drejt titullit, M.United eliminon Liverpool-in nga FA Cup

25 Janar 2021, 11:02 | Përditesimi i fundit: 2021-01-25 11:18:26

Atletico Madrid e ‘Çolo’ Simeones nuk po njeh rival këtë sezon në La Liga. El Colchoneros kanë marrë fitoren e 7 radhazi në La Liga, pasi kanë mposhtur me shifrat 3-1 Valencia-n, për llogari të javës së 20 të kampionatit.

Në 'Wanda Metropolitano’ të parët kaluan në avantazh miqtë me një gol të magjishëm nga Raçiç, por që do të zhvlerësohej pa u mbyllur pjesa e parë nga Felix. Më tej në fraksionin e dytë të lojës Suarez dhe Correa i dhanë një tjetër fitore Atletico Madrid, e cila qëndron e qetë në krye të kampionatit. Aktualisht ‘madrilenët e vegjël’ kanë 47 pikë, 7 më shumë se Reali, që ka një ndeshje më shumë.

Sakaq në vendin e tretë vjen Barcelona, që të dielën fitoi pastër 0-2 kundër Elche-s.

Ndërkohë në ishullin britanik Manchester United ka treguar muskujt, duke eliminuar Liverpool-in nga kompeticioni më i vjetër futbollistik FA Cup. Djajtë në ‘Old Traford’ mposhtën 3-2 kampionët në fuqi të Premier League, të cilët këtë sezon po hasin jo pak vështirësi.

Superpërballjen e zhbllokoi Salah, ndërsa më pas United përmbysi me Grenëood dhe Rashford. Liverpool nuk u dorëzua dhe barazoi sërish me protagonist Salah-n, por në fund ai që vulosi eliminimin e skuadrës së Jurgen Kloop ishte Bruno Fernandes me një gol spektakolar.