Balla: “Dita e gjykimit” për Berishët po vjen, Shkëlzen Berisha: Nuk ka asnjë provë

11 Shkurt 2019, 13:23 | Përditesimi i fundit: 2019-02-11 17:21:22

Në Gjykatën e Tiranës u zhvillua seanca e radhës për shqyrtimin e padisë së ngritur nga Shkëlzen Berisha, ndaj Taulant Ballës, në lidhje me deklarimet e këtij të fundit se Berisha nuk ka paguar taksat. Gjatë ditës së sotme, u bënë parashtrimet e të dyja palëve, ku mbrojtja e Berishës pretendoi se deklarimet e Ballës, janë shpifje dhe me qëllim prishjen e imazhit të tij. Ndërkohë, Balla pretendoi se deklarimet e tij lidhen me dyshimet e krijuara pas hetimit të kryer nga Komisioni hetimor, në cilësinë e drejtuesit të këtij komisioni. Por, Balla vazhdoi me tej, duke thënë se i qëndronte këtyre deklarimeve.

Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla i ka bërë thirrje Prokurorisë së Tiranës që të mos pushojë hetimet për Sali Berishën, djalin e tij dhe Ndue Kalaj për privatizimin e OSSH te CEZ-i. "Unë i qëndroj akuzës së bërë, se qytetarët shqiptarë kanë humbur 419 mln euro nga privatizimi i OSSHE te CEZ. I bëj thirrje prokurorisë së Tiranës që mos përdorë makinacione për ta pushuar çështjen në ngarkim të Sali Berishës, Nuel Kalajt, Shkëlzen Berishës. Prokuroria të vijojë hetimet dhe me shpresën e gjithë shqiptarëve që SPAK ngrihet së shpejti le të jetë kjo një prej dosjeve që ti vihet në dispozicion SPAK" tha Balla.