Balluku inspekton punimet në Bypass-in e Fierit: Të përshpejtojmë ritmet e punës

29 Shtator 2019, 15:36

Në Bypass-in e Fierin po punohet me intensitet të lartë për të bërë të mundur hapjen për qarkullimin e automjeteve edhe të korsisë tjetër, ku krahas asfaltimit të rrugës po punohet njëkohësisht edhe për ndërtimin e mbikalimeve përgjatë këtij segmenti.

Për të inspektuar punimet ditën e sotme në këtë aks ka shkuar ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ku inspektorët deklaruan se punimet po vijojë sipas grafikut të parashikuar për të bërë të mundur hapjen edhe të kësaj korsie. Gjithashtu është duke u punuar edhe për ndërtimin e rrugëve dytësore si dhe ndërtimin e rrugës lidhëse të Apolonisë.

“Aktualisht jemi duke asfaltuar në korsinë e dytë, plotësisht brenda skedulit të punimeve. Ndërkohë kemi filluar dhe vendosjen e gominave në shtatë mbikalimet dhe brenda tetorit do t’i hedhim të gjithë trarët te mbikalimet. Jemi plotësisht në rregull me grafikët. Kuptohet, në nëntor ne kemi për të përfunduar këtë korsi, në nivelin që është. Është një premtim që ne e kemi dhënë para njerëzve këtë gjë dhe pa diskutim do ta bëjmë”, bëri të ditur inxhinieri i punimeve.

Ministrja Belinda Balluku kërkoi nga firma që po realizon punimet  që edhe për korsinë e djathtë të këtij segmenti të mbahet premtimi i dhënë duke bërë të mundur hapjen e saj në afatin e premtuar.

“Ne arritëm në këtë segment diçka shumë të rëndësishme, që ishte dorëzimi dhe hapja e karrexhatës së majtë për sezonin veror. Kjo është një gjë për të cilën unë ju kam përgëzuar, kryeministri gjithashtu dhe padyshim shpresojmë që ju ta mbani premtimin dhe në karrexhatën e djathtë. Çfarë duhet është që të përshpejtojmë ritmet. Këtu po punohet me ritme shumë të mira por për shkak se jemi në shtator dhe po vjen dimri pastaj gjërat nuk do jenë më në dorën tuaj apo tonën përsa i përket motit”, u shpreh Balluku.

    No videos found.