Banori i kërkon të ulet me Ramën/ Basha: Qeveria ka detyrat e veta, opozita të vetat!

6 Dhjetor 2019, 16:23

Kryetari i Partisë Demokratike, vizitoi sërish Durrësin, ku u takua me disa qytetarë të prekur nga tërmeti. Fillimisht zoti Basha ishte në lagjen 17, ku me dhjetëra banorë, ishin të alarmuar, pasi pallati i tyre, i dëmtuar nga tërmeti, nuk ka akoma një vlerësim zyrtar, nëse është apo jo i banueshëm.

Banor: Bashkërendohuni me pushtetin. Uluni, i lëmë ndasitë politike. Unë jam plotësisht dakord që jeni opozitë dhe keni frontet të ndara, keni vizionin tuaj. 

Basha: Qeveria ka detyrat e veta, opozita ka detyrat e veta. Ju po e shikoni, ne vetëm luftë politike nuk po bëjmë. 

Banor: Unë jam i forcës kundërshtare me ju, dhe ju falënderoj që më dëgjon me respekt dhe të falënderoj që je këtu mes nesh. 

Basha: E rëndësishme është që ne të sjellim zërin dhe shqetësimet tuaja. Ky është roli ynë. Nëse ne e marrim zërin tuaj dhe e kthejmë në politikë për karrigen tonë, ne bëjmë gabim. Nëse ne çojmë shqetësimin tuaj atje, ne e kemi bërë detyrën tonë, sepse po nuk e bëmë ne, nuk ka kush ta bëjë. 

Edhe po të ishim në role të ndryshme, ne në qeveri dhe ata në opozitë, këtë do kërkoja nga ata. Nuk do kërkoja të bëja fotografi bashkë. Do t’u kërkoja ‘merrni zërin e njerëzve na e sillni dhe shikoni si po e bëjmë ne punën” Se këtë detyrë ka opozita. Po u shkri opozita, nuk ka më kush t’ju mbrojë.