Banorja e Thumanës: Sot na nxorrën nga hoteli, nuk kisha lekë për makinën

29 Janar 2020, 13:42

Sejdie Ruka është një banore e zonës së Thumanës prej muajit nëntor kur ra tërmeti, ka gjetur strehim në hotel "Rafaelo" në zonën e Shëngjinit. Por sot, një ditë pas tërmetit me magnitudë 4.9 ballë të shkallës Rihter, asaj dhe banorëve të strehuar në hotel, i është dhënë një njoftim nga recepsioni se duhet të dalin nga hoteli. Njoftimi sipas saj është dhënë nga Bashkia e Krujës.

"Njoftim për të dalë të gjithë banorët nga bashkia e Krujë, për të dalë të gjithë banorët e Thumanës nga hoteli. Më nuk di nëna cfarë të thotë. Kemi paguar makinën kemi ardhur, i dhash një sasi lekësh e nuk kisha më me vete. Tani bëni ç'bëni vet, nëna nuk ka më takat, mendoni si për nënat tuaja. Kanë dalë të gjitha familjet e Thumanës që ishin atje. Apeli është të na gjejnë një strehim me fut kokën të paktën, nuk dimë ku të shkojmë. Lekë për të paguar qiratë nuk kemi, se qiraja është shumë shtrenjtë", tha nënë Sejdie Ruka për gazetarin e Report Tv Arsen Rusta, i cili këtë të mërkurë ishte në një lidhje live nga Thumana, ku zonja ka shkuar pasi e kanë nxjerrë nga hoteli.

Gazetari i Report Tv shkoi së bashku me banoren  të interesohet nëse ka dalë bonusi i qirasë, ndërsa Sejdie Ruka tha se përgjigjja e marrë ishte: Bonusi nuk ka dalë. Në momentin që gazetari ka trokitur në dyert e administratës së Thumanës, askush nuk ka qenë i pranishëm në zyrë.