Basha nga Pogradeci: Paniku nga frika dhe humbja e thellë që ka shtyrë Ramën drejt krimeve dhe gënjeshtrave

20 Prill 2021, 21:40 | Përditesimi i fundit: 2021-04-20 21:56:24

Pogradeci ishte ndalesa e radhës të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në fjalën para qytetarëve të Pogradecit, Basha tha 25 prilli është dita që Shqipëria t’u kthehet shqiptarëve. Për këtë, kreu i opozitës bëri thirrje që të gjithë se bashku pa përjashtim, të djathtë e të majtë, që më 25 prill të shkojnë drejt kutive të votimit për të votuar për ndryshimin.

Basha tha se paniku dhe frika e Edi Ramës nga humbja e thellë që e pret e ka shtyrë atë drejt krimeve dhe drejt gënjeshtrave, por ai nuk e ndal dot më, nuk e ndal dot më të pandalshmin ndryshim që do Shqipëria, që kanë nevojë shqiptarët, që kërkon rinia dhe bashkë do ta bëjmë realitet.

'Nga Durrësi në Tiranë, nga Gjirokastra në Tropojë, anembanë Shqipërisë zemrat janë mbushur me shpresë, me besim me mendimin e madh për ta bërë këtë të diel ditën kur Shqipëria i kthehet shqiptarëve. E prek këtë gëzim, e prek këtë frymëzim magjepsës, këtë emocion të patregueshëm, e shoh në sytë e nënave të Pogradecit dhe mbarë Shqipërisë. E dëgjoj në zërin e rinisë së mrekullueshme të këtij qyteti dhe sytë e përlotur nga gëzimi të prindërve dhe gjyshërve tanë. Sepse unë e di, ju e dini, të gjithë shqiptarët e dinë se e diela është dita e fitores së madhe. E fitores më të madhe që Shqipëria dhe shqiptarët kanë korrur ndonjëherë. Sepse është dita e bashkimit të zemrave tona. Pas 8 viteve të gjata dështimesh, pas 8 vitesh të gjata vuajtjesh, 8 vite kur një liqen i tërë me lotët e nënave dhe baballarëve është mbushur dhe është zbrazur disa herë nga zemrat e plagosura edhe dhimbja prej emigracionit, prej korrupsionit që varfëroi të gjithë shqiptarët për të pasuruar një njeri dhe një grusht njerëzish. E pra 8 vite të gjata vuajtje. Tani po i afron fundi. Dita e ndryshimit po afron.