Basha nis negociatat për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 30 qershorit

18 Prill 2019, 17:50

Kreu i Partisë Demoratike, Lulzim Basha ka artikuluar sot për herë të parë pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Kryesia e PD-së pas mbledhjes ka dalë me tre kushte për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.

Tre propozimet e Bashës ishin që të garantohen zgjedhjet e lira me një qeveri tranzitore, që PD të bëhet barrierë për moslejimin e zgjedhjeve fasadë, ndërsa u mandatua edhe për negociatat me partitë e tjera opozitare. Kështu pas nëntë protestave para Kryeministrisë dhe Parlamentit, opozita ka nisur negociatat për pjesëmarrjen në zgjedhje.

Pasdite në orën 17:00 do të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së për të thënë fjalën e fundit mbi pikat e miratuara nga Kryesia. Ndërkohë që LSI-ja ka mandatuar Monika Kryemadhin për të negociuar me Bashën.

KRYESIA E PARTISË DEMOKRATIKE VENDOSI T’I PROPOZOJË KËSHILLIT KOMBËTAR:
1. Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.

2. Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

3. Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e Qeverisë Tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.