Basha: Po modernizojmë PD-në për qeverisje

15 Tetor 2019, 19:34

TIRANE-Kreu i shtetit Ilir Meta në 10-vjetorin e krijimit të Fondacionin ‘Konrad Adenauer’ i ka bërë sërish apel politikës shqiptare që të ulet në dialog për të zgjidhur krizën politike. Çelësi i suksesit në duart e politikës shqiptare, tha Presidenti duke kërkuar që palët, shumica dhe opozita të gjejnë kurajon dhe të reflektojnë për ta vendosur vendin në shinat kushtetuese për t'i dhënë fund kësaj krize artificiale, që ende mbizotëron.

"Gjermania është një vend mik. Edhe prezenca e fondacionit mbetet dëshmi e jashtëzakonshme e forcimit të këtij bashkëpunimi. Shumë kohë kemi humbur si komb dhe harrojmë mbi të gjitha se Europa bën edhe pa ne, se ka bërë edhe në të kaluarën por ne nuk bëjmë dot pa Europën.  Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa parimet e kontrollit të pushteteve, pa media të lirë, pa zgjedhje jo konkurruese dhe shumë drejtime të tjera....

Është shumë e rëndësishme të kthehemi të kaluarës për të mos i dhënë mundësi të zhytemi në izolim dhe arbiritraritet. Cdo vend ka qeveri, por dallimi për sa i takon asaj që cfarë përfaqëson ka të bëjë me rolin që ka parlamenti në raport me qeverinë. Është parlamenti dhe populli që kontrollon, apo e kundërta. Theksoj se pas anëtarësimit në NATO integrimi në BE është projekti i papërmbushur. Ky projekt arrihet falë reformave dhe jo lobimit.

Duhet një reflektim të thellë dhe serioz. Këto ditë ne presim vendimin, shpresojmë pozitiv mbi negociatat. Uroj dhe kërkojmë që ky vendim të jetë pozitiv dhe cdo vend që ka shqetësimet e tij konkrete ti bashkohet qasjes së Bundestagut për të nxitur vendin që të përmbushë kriteret.  Duhet të gjejnë kurajon dhe të reflektojnë për ta vendosur vendin në shinat kushtetuese për t'i dhënë fund kësaj krize artificiale, që ende mbizotëron. Ne kemi shumë ctë mësojmë nga bashkëpunimi politik në Gjermani. Çelësi i suksesit në duart e politikës shqiptare" tha Meta.

Ndërsa Lulzim Basha theksoi se po modernizon partinë Demokratike për të vendosur piketat për qeverinë e së nesërmes. "Mirënjohje për Fondacionin ‘Konrad Adenauer’. Aleatë të mëdhenj të Shqipërisë.  Vendet skeptike janë shtuar, por nuk ka munguar mbështetja e CDU-së. Ne u bëmë thirrjeve miqve tanë gjermanë që pavarësisht gjendjes së krijuar, vetëm hapja e negociatave garanton një kontroll më të fortë për barazinë para ligjit dhe zgjedhjet e lira. Po modernizojmë partinë tonë dhe po vendosim piketat për qeverinë e së nesërmes. Ne do u japim shqiptarëve zhvillimin që meritojnë dhe të ardhmen" tha Basha.