Basha 'presion' bankave të nivelit të dytë: Mos financoni PPP-të, do i anulojmë kur të vijmë në pushtet

1 Tetor 2019, 15:22

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u është drejtuar me një letër të gjithë bankave të nivelit të dytë dhe guvernatorit Gent Sejko, ku u kërkohet që të mos financojnë PPP-të. Argumenti që Basha përdor për këtë kërkesë është se këto PPP-të (Partneritet Publik Privat) shpesh përdoren për pastrimin e parave dhe si shembur sjellë  dy kontratat për rrugën Milot-Balldren dhe Orikum - Dukat. 

Ai shkruan se kjo letër është për t'i vënë në dijeni për rrezikun që i kanoset, pasi sipas tij “sektori bankar është më i ekspozuari nga bashkëpunimi mes qeveritarëve të korruptuar me disa kompani që po përdorin sektorin e ndërtimit për të pastruar paratë e fituara nga aktivitetet e paligjshme.” 

Letrën e tij e mbyll duke i paralajmëruar se të gjitha PPP-të korruptive do t'i anulojë kur të vijë në pushtet dhe se do të merren masa ligjore ndaj institucioneve që mbështesin aferat korruptive, siç kryedemokrati i quan. 

Letra e plotë
“Të dyja kontratat publike, haptazi, cënojnë interesin publik dhe dëmtojnë në mënyrë të rëndë interesat financiare të shtetit shqiptar, duke u siguruar përfitime të padrejta zyrtarëve të korruptuar dhe kompanive private. Nga vlerësimi i kapaciteteve financiare dhe teknike të kompanive private, të përfshira në këto dy projekte, rezulton se ato nuk kanë mundësi për t’i përfunduar projektet me mjetet e tyre dhe, për pasojë, parashikohet marrja e kredive bankare. Mirëpo, këto kompani nuk kanë mundësinë reale për të kthyer kredinë që do të kërkojnë nga ju, pas momentit të anullimit të financimit të paligjshëm shtetëror, që kanë përfituar si pasojë e veprimeve korruptive.

Duke përfituar nga ky rast, ju kërkojmë zyrtarisht që të vlerësoni me seriozitet informacionin e përcjellë. Ne shprehim besimin e plotë që ju do të distancoheni dhe nuk do të bëheni palë në akte që provojnë mbështetjen ndaj projekteve korruptive dhe që cënojnë interesin publik.

Ne presim që banka juaj të aplikojë procesin e “vigjilencës së zgjeruar” në çdo transaksion ku përfshihen subjekte që janë angazhuar në aktivitetet e sipërcituara, veçanërisht, duke patur parasysh indiciet që janë publike jo vetëm nga PD, por edhe nga raportet e institucioneve të specializuara ndërkombëtare. 

Ne mirëpresim çdo propozim që do të ndihmonte në krijimin e një ambienti më të mirë në sektorin bankar në funksion të kreditimit të ekonomisë reale dhe jo asaj të mbështur në paratë e krimit dhe të korrupsionit", shkruan Basha. 

    No videos found.