Basha: Reja më ekspert se Panucci. Partizani? Nuk mund të them asgjë, kam edhe 1 vit kontratë

24 Maj 2019, 17:22

Prej ditës së hënë në Durrës po stërvitet një pjesë e futbollistëve të kombëtares shqiptare për dy ndeshjet e qershorit me Islandën dhe Moldavinë. Në pritje të listës zyrtare që do të shpallet të hënën, sot për herë të parë kanë dalë në konferencë për shtyp dy futbollistët e kombëtares Migjen Basha dhe Kastriot Dermaku.

Mesfushori Basha fillimisht tregoi për përgatitjet e zhvilluara gjatë kësaj jave duke thënë se lojtarët janë stërvitur vetëm fizikisht, pasi grupi nuk është i plotë. Më pas ai ka treguar për ndryshimet mes Panuccit dhe Rejas, i cili për herë të parë po stërvit kombëtaren gjatë kësaj jave.

“Reja ka më shumë eksperiencë, shikohet që raporti me lojtarët është më ndryshe. Pastaj për pjesët e tjera të shohim në javët e ardhshëm. 

Basha më pas komentoi edhe zërat që e shohin  te Partizani për ndeshjet që ekipi kampion i Shqipërisë do të luajë në Kupat e Europës.

“Çdo lojtar ka qejf të luajë në Champions, por nuk mundem që unë të jem pjesë e Partizanit kur kam kontratë me Arisin. Nuk mundem të them diçka më shumë.”

Ndërkohë mbrojtësi Dermaku fillimisht deklaroi se shpreson që të ketë minuta në dy ndeshjet e radhës, ndërsa më pas zbuloi diçka edhe në aspaktin personal.

“Kam biseduar me disa ekipe në Serinë A me menaxherin tim. Kontrata ime përfundon tani dhe do të shkoj në Serinë A.”