Basha: Sfida më e madhe pas 25 prillit do të jetë frenimi i ikjes së të rinjve

6 Mars 2021, 15:05

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar gjatë një komunikimi me të rinjtë se sfida më e madhe e qeverisë së tij pas 25 prillit është frenimi i ikjes së të rinjve nga vendi dhe kthimi i atyre që studiojnë jashtë.

Lideri i opozitës hodhi akuza kundrejt kreut të qeverisë, për largimin e të rinjve nga vendi, dhe se sipas Bashës që të fitojë rinia shqiptare, që të fitojë Shqipëria, duhet të largojmë Edi Ramën.

Faktet flasin vet, 75% e të rinjve duan të largohen nga vendi. 94% e atyre që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen në Shqipëri. Të dyja këto më dëshpërojnë jashtë mase. Të parën deri diku edhe mund ta mirëkuptoja nëse do të ishte për të studiuar jashtë, sepse kjo është një ëndërr legjitime dhe nesër një nga projektet kryesore të qeverisë që do të dalë nga vota e 25 prillit. Por e dyta, dëshira për të mos u kthyer por për të vazhduar jashtë Shqipërisë është një katastrofë kombëtare, të cilës ne mund, duhet dhe do t’i japim fund me programin tonë ekonomikë e në veçanti me programin tonë për rininë. E vërteta është fare e thjesht, që të fitojë rinia shqiptare, që të fitojë Shqipëria, duhet të largojmë Edi Ramën. Njeriun që ka marrë peng vendin dhe fatet e tij, njeriu që ka marrë peng fatet e rinisë shqiptare.'- tha Basha.

Kreu i opozitës përsëriti angazhimin e tij për të abroguar ligjin e Ramës për Arsimin e Lartë dhe në vend të tij, hartimin e një ligji nga pedagogët dhe ekspertët më të mirë konsultuar me vetë studentët.