Basha takim me nënat e emigrantëve: Do sillem me përgjegjësi ndaj Shqipërisë ashtu si ju me fëmijët

30 Nëntor 2020, 11:21 | Përditesimi i fundit: 2020-11-30 15:31:14

TIRANË- "Do të sillem ndaj Shqipërisë me të njëjtën përgjegjësi si sillen prindërit shqiptar ndaj fëmijëve të tyre"! Ishte ky premtimi i kreut të PD-së, Lulzim Basha gjatë një takimi që zhvilloi me nëna që fëmijët i kanë në emigracion.

Në përgjigje të një qytetareje, i cili i tha se "kishte shpresat vetëm te Basha që do e sillte vendin në rrugën e duhur', kryedemokrati theksoi se ky është një prioritet e tij në qeverinë e ardhshme.

Nënat treguan historitë e tyre, teksa Basha u premtoi se do të punojë fort për t'ua bërë atyre sa më të lehtë rikthimin në shtëpi.

“Unë jam nënë e dy vajzave. Njëra prej vajzave ka mbaruar gazetari me rezultate të shkëlqyera. Pasi nuk gjeti asnjë mundësi apo alternativë punësimi këtu, u detyrua të emigronte në Amerikë. Më falni! Ajo ka sot dhe një vajzë të vogël, të cilën unë e kam parë vetëm njëherë kur lindi. Pamundësia ekonomike e jona na detyron që t’i qëndrojmë larg. Por e keqja nuk është kjo. Kam vajzën tjetër që ka mbaruar për informatikë ekonomike, dega financë bankë, e cila nuk po gjen alternativë punësimi dhe ajo do të ndjekë hapat e të motrës, do të iki jashtë sepse thotë këtu nuk shih asnjë dritë jeshile. Tani, zoti Basha dua të di kur do të mbarojë ky makth për ne prindërit, sidomos në këtë kohën e pandemisë, se po të mendojmë, se po të na gjejë gjë do të vdesim pa parë fëmijët tanë. Kjo është e keqja më e madhe e popullit tonë, po rrimë larg fëmijëve”,- rrëfen me lot në sy një nënë.