Basha te vilat e 'oligarkëve'/ Spiropali: Luli të tregojë kontratat, Inspektorati i Pasurisë dhe SPAK duhet të merren me këtë histori

3 Nëntor 2019, 14:43 | Përditesimi i fundit: 2019-11-03 16:07:23

TIRANE-Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe njëkohësisht zëdhënëse e qeverisë Elisa Spiropali ka reaguar pas zhvendosjes së kryetarit të PD-së Lulzim Basha nga pallati ku banonte te vilat e 'oligarkëve'.

Reagimi i plotë i Elisa Spiropalit
Lulzim Basha u ankua se historia e dy vilave të tij na qenka sajuar nga qeveria. Tani,  imagjinoni Edi Ramën, a kë të doni nga radhët tona, që thotë më zuri frika nga tërmeti dhe ika mora dy vila me qira në një nga zonat më të shtrenjta të Shqipërisë.  Parafytyrojeni vetë tani se çfarë cikloni balte do të kishte rënë mbi Shqipëri dhe çfarë do kishin nxjerrë nga grykat tërë murtajat e opozitës, duke nisur nga gryka e Lulzim Bashës. Por më e bukura është se askush nga qeveria, por as nga Partia Socialiste s’ka thënë akoma asgjë për dy vilat e Lulzim Bashës, ndërkohë që Lulzim Basha akuzon qeverinë, se e ka sajuar këtë histori.

Por çfarë ka sajuar qeveria? Tërmetin që paska lëkundur e trembur aq shumë Lulin sa të ikë nga një apartament e të marrë dy vila?  Apo mos vallë ka sajuar qeveria faktin se Luli qenka i vetmi që e paska tronditur tërmeti dhe ia paska bërë të pabanueshëm tripleksin e tij mbi një pallat ku s’ka asnjë shenjë tërmeti? Ose pastaj qeveria ka sajuar faktin që Luli merr dy vila me qira tek lagjja ekskluzive e ndërtua nga njeru që vetë Luli e ka bërë copë e çikë si oligark, ndërkohë që nga ana e tij Luli s’tregon asnjë kontratë qiraje.

Në të vërtetë, qeveria s’ka kohë të merret me Lulzim Bashën, por Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive sot, si dhe SPAK-u nesër duhet të merren me këtë histori tipike për njeriu që është bërë simbol i asaj shprehjes “beni si them unë, mos bëni si bëj unë”. Lulzim Basha akuzohet nga mediat se qiraja është një “gjethe fiku” për të mbuluar faktin, se në fakt, të dy vilat janë blerë prej tij. A është e vërtetë apo jo kjo akuzë mediatike ne nuk e dimë, por ne dimë që Lulzim Basha është i njohur për dorën e rëndë në lëvizjen e shumave të mëdha të parave. Dhe sot që flasim, ai është i pandehur për më shumë se gjysme milioni dollarë që kanë lëvizur në emër të Partisë Demokratike, po që nuk figurojnë gjëkundi në arkën e parave të ligjshme të asaj partie.

Historia e dy vilave të Lulzim Bashës është pavarësisht fakteve, një tjetër e zakonshme e historisë së një politikani abuzues me ligjin e paranë, e përfitues kornik në një terren ku drejtësia i ka garantuar atij paprekshmërinë, por është njëkohësisht edhe historia tipike e një politikani që nuk ndalon sa hapuri gropën ku bie vetë. Politkisht ai s’e ka problem të bjerë në gropë e të bërtasë “Fitore”, ndërsa ligjërisht do ta ketë me siguri shumë më të vështirë ta kalojë historinë e dy vilave, atë gjysmë milion dollarë të pajustifikuar, duke kënduar Himnin përballë një trupe gjykuese të dalë nga rruga e vettingut dhe e Drejtësisë së re.

    No videos found.