Benet Beci: KESH do të transformojë zonën përreth liqeneve Vau Dejës- Koman në destinacion turistik

25 Shkurt 2021, 15:41

Tre hidrocentralet në kaskadën e Drinit janë pasuria më e madhe që kemi, por jo gjithmonë jemi të ndërgjegjshëm për këtë, e për më tepër banorët e kësaj zone nuk kanë marrë vëmendjen e duhur në këmbim të kontributit të jashtëzakonshëm që i jep vendit kjo pjesë e Shqipërisë.
Prej më shumë se një viti, Koorporata ka nisur punën për hartimin dhe çuarjen përpara të projekteve që jo vetëm synojnë t'i japin zhvillim zonës, por do të përmirësojnë turizmin dhe do të tregojnë mirënjohjen për të gjithë ata që jetën e tyre profesionale e jo vetëm, e lidhën me ndërtimin e këtyre veprave dhe furnizimin me energji të gjithë vendit, prej më shumë se dyzet vitesh.
Të gjitha këto arsye ishin fokusi ynë i bashkëbisedimit me banorë të Bashkisë së Vaut të Dejës.
Krahas ndërtimit të rrugës Vau i Dejës -Koman, që prezantuam pak ditë më parë, puna jonë vazhdon me  hartimin e një projekti që synon ndërtimin e dy moleve të reja në Vaun e Dejes dhe në Koman. Liqeni i Vaut të Dejës dhe bukuritë e tij të rralla natyrore e kulturore do të arrihen më lehtë, ndërsa porti në Koman, që shërben si pikënisje e trageteve për në Alpe dhe varkave për në lumin e Shalës,  do të transformohet duke u zgjeruar dhe duke ndërtuar qendrën e  menaxhimit të lundrimit dhe informacionit për të gjithë  luginën e Drinit.