Berat, 27-vjeçarja humbi betejën me COVID, mjekja: Kishte 90% të mushkërive të prekura

4 Mars 2021, 13:51

Një e re 27-vjeçare u nda dje nga jeta pasi humbi betejën me COVID-19. Ditën e sotme janë mësuar të tjera detaje për ngjarjen e rëndë ndërkohë që kanë folur edhe mjekët e spitalit.

Ariola Sakollari (Gjeçi) u prek nga koronavirusi 3-javë më parë dhe fillimisht u shtrua në repartin e COVID-19 në Spitalin Rajonal të Beratit. Burimet zyrtare të Spitalit Rajonal të Beratit konfirmojnë se,e reja mbërriti në këtë spital në gjendje kritike për jetën.

Mjekja infeksioniste në Repartin Covid-19 të Spitalit Rajonal të Beratit, Etleva Vila deklaron se, vajzës i është dhënë ndihma e shpejtë dhe pas ekzaminimeve ka rezultuar se 27-vjeçarja kishte 90% të mushkërive të prekura nga Covid-19.

"Pasi konstatuam se gjendja e saj shëndetësore ishte kritike, ne si mjekë konkluduam në nisjen e saj me urgjencë me autoambulancat e Spitalit Rajonal Berat drejt Spitalit Infektiv COVID-1 në Tiranë"-, ka deklaruar mjekja Vila.

Duke marrë shkas nga rastet e shtuara të të prekurve me COVID-19 në qarkun e Beratit, mjekja Vila ka deklaruar se,pjesa më e madhe e rasteve ka qenë e qëndrueshme dhe janë trajtuar në Repartin COVID-19 në Spitalin e Beratit,ndërsa rastet e rënduara janë dërguar për mjekim më të specializuar në Spitalin Infektiv në Tiranë.