Bexhet Rrapi, argjendari i simboleve kombëtare prej 42 vitesh: Profesion që të mban mirë dhe të jep emër

4 Prill, 08:46 | Përditesimi i fundit: 2021-04-04 08:49:13

Bexhet Rrapin e gjen çdo ditë në punishten e tij të vogël në lagjen "Albano dhe Romina" në qytetin e Vlorës.  Ka kryer shkollën për axhusteri dhe punon prej 42 vitesh si riparues i argjendit dhe floririt.

‘Këtë profesion e ushtroj falë aftësive të mia dhe dëshirës për të bërë punime të tilla, falë edhe shkollës profesionale kjo më ka ndihmuar që të ushtroj profesionin argjendar. Me këtë profesion kam rreth 40 vite.’- tha argjendari.

Të punosh me argjend dhe flori duhet imagjinatë por dhe durim.

‘Falë aftësive të mia precize dhe intuita duhet të kesh edhe imagjinatë në këtë profesion pasi pa imagjinatë nuk mund ti përshtatesh tregut.’- tregon më tej Rrapi.

Ai i është përshtatur tregut duke riparuar dhe syze e ora, përpos bizhuterive. Me krenari, Bexhet Rrapi thotë se ka arritur të krijojë medaljonë me simbolet kombëtare, kryesisht për klientë të huaj apo shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

‘Më kanë ardhur punime për të bërë nga disa shtete të huaja, nga SHBA, Kanada, Zelanda e Re. Rreth vitit ’92, ka ardhur një vajzë nga Zelanda e Re, ishte vajzë e lindur nga një çift shqiptaro-anglez, kishte dëshirë të bënte një unazë me shqiponjë, pasi donte ta kishte kujtim. Prodhova një shqiponjë që i pëlqeu shumë dhe unë atë e kam futur në prodhim. Këto kanë qenë punët më të vështira.’- tregoi ai.

Argjendari shprehet se me këtë zanat ka arritur të mbajë familjen dhe të shkollojë fëmijët. Në gjithë Vlorën nuk janë më shumë se 3-4 riparues të bizhuterive, ndaj Bexhet Rrapi ka një mesazh për të rinjtë.

‘Unë bëj thirrje nëpërmjet jush, një televizion i shkëlqyer  bëj thirrje rinisë që të aktivizohet të bëhen zanatçinj, ky është një profesion që të ushqen të mban mirë të jep një emër. I bëj thirrje rinisë që ti futet zanati, sepse të mban në jetë për tërë jetën.’- tha Bexhet Rrapi.

 

Kategori të tjera

    Nuk u gjeten video për këtë Kategori!

Shiko të gjitha

    Nuk u gjeten video për këtë Kategori!

Shiko të gjitha