Bino: S'ka grip! Në nëntor nis vaksinimi, falas për grupet e riskut, për herë të parë edhe mësuesit e edukatoret

23 Tetor 2019, 14:54 | Përditesimi i fundit: 2019-10-23 17:58:08

TIRANE-Drejtoresha e ISHP, Silva Bino deklaroi sot se në javën e parë të muajit nëntor do të fillojë vaksinimi për gripin për grupet e riskut. Ajo u shpreh se këtë vit janë 80 mijë doza vaksinimi, 30 mijë më shumë se vitin e kaluar. Bino theksoi se për grupet e riskut dhe stafin mjekësor vaksinimi do të jetë falas.

Risia këtë vit do të jetë vaksinimi jo vetëm për fëmijët, por edhe mësuesit dhe edukatoret e kopshteve dhe çerdheve. Drejtoresha e ISHP qetësoi duke thënë se deri tani nuk ka raste të gripit, por vetëm viroza dhe rrufë, ndërsa këshilloi qytetarët që të mos përdorin antibiotikë. Por kush janë grupet e riskut që duhet të kenë kujdes? Personat me sëmundje bashkëshoqëruese, me diabet, astmë, obezët, gratë shtatzëna janë disa nga grupet e riskut që duhet të bëjnë kujdes.

Sezoni i gripit nuk ka filluar akoma. Në bazë të dhënave të ISHP-së nuk kemi regjistruar raste me grip, por ka një qarkullim të virozave respiratore, rrufës, që shpesh njerëzit e ngatërrojnë me grupin. Nuk kemi forma të rënda, qarkullim të gripit. Edhe në rajon qarkullimi i gripit është i ulët. Në rajonin Europian qarkullojnë viruset A dhe B, por nuk mund të bëjmë parashikimin, pasi jemi herët dhe gripi është sëmundje e paparashikueshme. Ne presim që të qarkullojnë këto viruse që janë të përfshirë në vaksinën e gripit.

Aktualisht nuk kemi të dhëna nga vendet fqinje, por ka të dhëna nga Italia të rasteve me grip, por shumë të rralla. Vaksinimi do të nisë javën e parë të nëntorit, në atë moment vjen edhe vaksina ndaj gripit, që jepet falas për të gjitha grupet e riskut dhe punonjësit shëndetësor. Po promovojmë vaksinimin e fëmijëve, dhe të mësuesve të shkollave dhe edukatoreve të kopshteve dhe cerdheve, pasi janë në kontakt me ta. Do të fillojë vaksinimi për të gjithë grupet e riskut. Gripi është një sëmundje e rrezikshme, që shfaqet cdo vit me tre forma, të të lehtë, të mesme dhe rëndë, që mund të japë edhe vdekjen.

Format e rënda vihen re te personat me sëmundje bashkëshoqëruese, diabet, astmë, obezët, gratë shtatzëna, etj. Ne kemi një parashikim në lidhje me viruset e gripit që janë pjesë e vaksinës, prandaj u vonua, pasi rekomandimet e OBSH-së u dhanë një muaj më pas, nga shkurti në fund të marsit. Presim të qarkullojnë viruset A dhe B, AH1NI dhe AH3N2 me karakteristikat përkatëse, pasi vaksina e një viti që shkoi ka disa ndryshime të vogla por thelbësore" tha ajo.