Bizneset 61 mln lekë borxh bashkisë së Lezhës, kryebashkiaku: S'ka më tolerime! Do bllokojmë llogaritë

15 Tetor 2019, 21:13

Shumë biznese kanë detyrime të pashlyera në Bashkinë Lezhë dhe kjo situatë nuk do të tolerohet. Paralajmërimi ka ardhur nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu gjatë mbledhjes së radhës të Këshillit Bashkiak.Sipas tij mos mbledhja e taksave ka sjellë vështirësi financiare në këtë njësi vendore, ndërsa shton se fundi i vitit është afati fundit për likuidimin e detyrimeve dhe më pas do të procedohet me bllokim të llogarive bankare.

"Ne jemi në një borxh financiar. Duhet të stimulojmë sjelljen e lekëve. Në momentin që kemi ardhur ne dhe ju kemi çuar letrat lanë. Ndoshta e dëmtojnë biznesin për momentin. E vëmë në presion. E vetmja rrugë pas njoftimit është bllokimi i llogarive të tyre bankare. Kjo pastaj është një periudhë tranzitore. Deri më datë 31 dhjetor. Nuk ka lehtësim. Kjo është një hapësirë për të thithur fondet në interes të punëve të bashkisë. Ka shumë punë bashkia që ne me shumë vështirësi po i menaxhojmë" tha Ndreu.