Bjellorusi, presidenti me kallash në dorë e antiplumb, vazhdojnë protestat kundër Lukashenko-s

24 Gusht 2020, 13:55

Dy javë pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi, ende vazhdojnë protestat kundër regjimit të Lukashenkos.

Demonstruesit marshuan në kryeqytetin Minsk dhe pranë rezidencës presidenciale, duke i kërkuar atij të largohet nga pushteti pasi, sipas tyre ai ka manipuluar zgjedhjet.

Ndërsa vendin e kanë përfshirë kaosi dhe protestat, presidenti Lukashenko është shfaqur me antiplumb dhe Kallashnikov teksa zbret nga helikopteri i tij dhe takohet me ushtarë që ruajnë rezidencën e tij.

Ndërkohë, ditën e djeshme me dhjetëra punonjës televizivë, gazetarë dhe teknikë studio, dhanë dorëheqjen nga mediat shtetërore të Bjellorusisë dhe më pas u zëvendësuan me gazetarë rus.

Sipas mediave, të cilat shfaqën pamje të studiove televizive bosh, gazetarët e dorëhequr numërohen në 17, ndërkohë që shumë të tjerë janë duke dhënë dorëheqjen.