Bllokimi i fluturimeve në Rinas, Balluku akuza Berishës: Qëllimi i tij që të mos zhvillohet stërvitja e NATO-s, i kam njoftuar aleatët

7 Prill 2021, 18:42 | Përditesimi i fundit: 2021-04-07 18:48:25

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se ka nxitur situatën e krijuar në Rinas për bllokimin e fluturimeve, pasi kontrollorët pezulluan punën.

Sipas Ballukut, qëllimi i Berishës është që të mos lejoje zhvillimin e stërvitjes së NATO-s DEFENDER – Europe 21, të planifikuar më 26 prill, ndërsa shtoi se aleatët janë njoftuar për këtë përpjekje.

“Roli i Berishës është nxitës, ka që dje që i nxit dhe i mbështet me sharje e mallkime të stilit të tij që këta njerëz të bllokonin trafikun, të reagonin me forcë. Qëllimi i Berishës është që shtetit të dështojë, qytetarët të mërziten me shtetin, të krijohet pakënaqësi në çdo nivel, të bllokohet Shqipëria, unë kam njoftuar aleatët, ai ka si qëllim që të mos zhvillohet stërvitja e NATO-s, që është parashikuar në datën 26 prill.Nuk janë të gjithë në të njëjtin thes, e pashë sot dhe një pjesë e tyre me të drejtë duan të diskutojnë për pagat. Ne i paraqitëm një plan, më 30 mars u dukën të sqaruar, iu dërgua plani i veprimit më 3 prill, me tre skenar, sesi pagat do ktheheshin ë normalitet dhe ne patëm një mirëkuptim, deri dje. Ne e prisnim se e pamë që politika kishte futur duart. Kryetarit të sindikatës i është thënë që plani që i dërguam ishte elektoral dhe unë plan elektoral në aviacion nuk kam parë  që nga koha e Berishës”, tha Balluku.