Blogjet e shqiptarëve, pasion apo profesion? Të ftuara Delinda Muçollari dhe Uejda Ahmeti

24 Qershor 2019, 13:13

Sot, kushdo ka mundësi të ndajë me ndjekësit dhe me miqtë këshilla për t’u veshur, ushqyer, udhëtuar e të tjera. E me pak aftësi të mira marketuese dhe menaxhimi është e mundur që falë pëlqimeve, komenteve dhe klikimeve të fitosh mjaftueshëm para. Madje janë të shumtë rastet e të rinjve që janë bërë milionerë, dhe falë influencës së tyre në rrjetet sociale ata po ngrejnë pasuri marramendëse, pse jo dhe famë, duke u shndërruar kështu në blogerë të fushave të ndryshme, mode, ushqimi, kozmetike, udhëtimi. Por ky trend ka pushtuar vitet e fundit edhe vendin tonë. Por a fitojnë mjaftueshëm blogerët shqiptarë apo e bëjnë thjesht për trend apo pasion?

Këtë diskutuam mëngjesin e sotëm në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv me dy vajza blogere. Delinda Muçollari, e diplomuar për gazetari, para 4 vitesh vendosi që aventurat e saj t’i shndërrojë në një mënyrë për të fituar para, pikërisht përmes udhëtimit me kroçerë nëpër botë, ku numëron 36 vende të vizituara. Kohët e fundit ajo është bërë travel vlogger dhe është mjaft e suksesshme, dhe e ka kthyer këtë angazhim profesional dhe fitimprurës. Për të, të pasurit një blog e lidh drejtpërdrejt me punën e saj, megjithatë për momenti i sheh rrjetet sociale vetëm si një trampolinë promovimi.

"Për momentin Instagrami është thjesht rruga për të shkuar në youtube, me psotimin e linqeve të herëpashershme, me fotografitë që ti poston. është thjesht kanali, dera që hap youtube. Për momentin, për mua ka vetëm këtë funksion. Është një punë që duhet ta kryesh me kohë të plotë. Duhet ti pëkushtohesh maksimalisht, sepse duhet të ndjekësh gjatë gjithë kohës trendet e momentit, çdo përditësim të rrjeteve sociale, duhet të jesh ti që i aplikon në rrjetet e tua sociale.  Rrjetet sociale kërkojnë minimalisht 3 poste në ditë, në 3 orare të caktuara.", tha Delinda gjatë bisedës