Britania miraton vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech! Do jetë në dispozicion javën e ardhshme

2 Dhjetor 2020, 14:17

Britania bëhet vendi i parë në botë që miraton vaksinën e koronavirusit. Është Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA) që i ka dhënë dritën jeshile vaksinës së prodhuar nga kompanitë Pfizer në bashkëpunim me BionTech e cila do të hyjë në përdorim javën e ardhshme.

Këtë e ka njoftuar një sekretari i Departamentit të Shëndetit dhe Kujdesit Social, Matt Hancock. Përmes një postimi në Twitter, ai shkruan se ndihma po vjen për Britaninë.

"Ndihma po vjen. MHRA ka autorizuar zyrtarisht vaksinën Pfizer / BioNTech për Covid-19. Punonjësit e sistemit shëndetësor fillojnë vaksinimin javën e ardhshme. Mbretëria e Bashkuar është vendi i parë në botë që ka një vaksinë të aprovuar për qytetarët,” tha Hancock në postimin e tij.

Ndërkohë që njëri nga krijuesit e vaksinë Ugur Sahin, u shpreh tejet i lumtur për lajmin, duke paralajmëruar sukses në luftën ndaj COVID-19.

“Dhënia e lejes për përdorim emergjent në Mbretërinë e Bashkuar do të shënojë edhe mundësinë e parë për qytetarët të fitojnë imunitetet kundër COVID-19. Ne besojmë se përfshirja e qytetarëve në një program vaksinimi do të ulë ndjeshëm rrezikun e qytetarëve që të përfundojnë të shtruar në spitale.” Tha Ugur Sahin në një deklaratë.

Sipas mediave të huaja, Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI) së shpejti do të publikojë këshillat e tij për grupet prioritare për të marrë vaksinën, duke përfshirë qytetarët e shtëpive të kujdesit, personelin shëndetësor, të moshuarit dhe ata që janë më të prekshëm.