BSH: Përdorimi i parave 'cash' nxit informalitetin, 'fiskalizimi' i jep zgjidhje

1 Tetor 2019, 15:10

Përdorimi i lartë i parasë cash ose fizike në ekonominë shqiptare është nxitës i informalitetit, kështu është shprehur guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko. Gjatë zhvillimit të mbledhjes së Pestë të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, Sejko u shpreh se ulja e përdorimit të parasë fizike do të ndihmohet shumë edhe nga projektligji i “Fiskalizimit” i cili do të monitorojë çdo transaksion.

“Konkluzionet e deritanishme evidentojnë qartë përfshirjen e ulët financiare të popullsisë shqiptare, jo vetëm krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, por dhe me vendet e rajonit. Të gjitha këto reflektohen në një përdorim të lartë të parasë fizike (cash) në ekonominë shqiptare, ka dhe një kosto konkrete nga përdorimi i tij si mjet pagese, ku në nivel ekonomie shkon më shumë se 1 për qind të PBB-së. Për më tepër, përdorimi i parasë fizike mund të konsiderohet edhe si një nxitës i informalitetit në ekonomi”  u shpreh Sejko.

E pranishme në takim ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, ka theksuar se ky projektligj është në fazë finale të tij, dhe brenda këtij muaji do të dalin edhe raportet kosto-përfitim që do të sjell fiskalizimi.  

Po ashtu në mbledhje është diskutuar edhe për hartimin e një Strategjie Kombëtare për Edukimin Financiar, që qytetarët dhe jo vetëm të jenë të mirinformuar për politikat dhe strategjitë monetare që edhe efektiviteti i tyre të jetë më i shpejtë.

    No videos found.