Bushati takon ministrin holandez, Stef Blok: Të vijohen reformat e nisura

17 Janar 2019, 13:10 | Përditesimi i fundit: 2019-01-17 15:39:42

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ka zhvilluar një takim këtë të enjte me homologun holandez Stef Blok, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë. Ministri holandez, në konferencën e përbashkët për mediat, shprehu mbështetjen e vendit të tij ndaj Shqipërisë në çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe cilësoi se përgjigjen përfundimtare do ta japë pas progreseve të shënuara në raportin e KE-së. 

Ministri Bushati theksoi se partneriteti midis dy vendeve është një garanci për të pasur një bashkëpunim edhe më të madh dhe të gjithanshëm si në aspektin dypalësh, veçanërisht atë ekonomik dhe tregtar, ashtu edhe në kuadrin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

"Ne jemi besimplotë qe bashkëpunimin do ta forcojmë në të ardhmen për të përforcuar më tej imazhin e vendit tonë, për të komunikuar ecurinë e reformave që ndërmarrim edhe për opinionin publik në Hollandë, e për të bashkëpunuar sëbashku për të përmbushur detyrimet që do të plotësonin fillimin e bisedimeve të Shqipërisë me BE-në", u shpreh Bushati.

Ndërsa ministri holandez Stef Blok, teksa u shpreh i kënaqur për ndodhjen e tij në Tiranë, i vlerësoi reformat e ndërmarra në Shqipëri në sistemin gjyqësor, klimën e investimeve e në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe u shpreh se Shqipëria duhet të vijojë të ndjekë këtë rrugë zhvillimi, nën synimin për të prekur idealin Europë. 

Në kontekstin e negociatave, të cilat priten të hapen në qershor 2019, Blok u shpreh se pavarësisht se Holanda është e përkushtuar për ta ndihmuar Shqipërinë, do ta bëjë publik qëndrimin e tij në varësi të progresit që do të shënohet në raportin e KE-së. 

"Fondet e BE-së përfshijnë edhe paratë e tatimpaguesve holandezë. Sa i takon qëndrimit holandez për negociatat, deklaratat janë të njëjta. Është i njëjti mesazh që u kam dhënë edhe vendeve aspiruese. BE është bashkimi i vlerave dhe sundimit i ligjit. Është mëse logjike që të përdor të njëjtat kritere dhe për shtetet anëtare aspiruese. Jemi të përkushtuar që të ndihmojmë Shqipërinë drejt BE-së” - u shpreh Blok.

Holanda vitin e kaluar ishte një nga tre shtetet skeptike përsa i takon hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.