Bushi publikon listën e U-21: Përballja me Turqinë deçizive, nëse humbasim ...

24 Maj 2019, 14:49

Trajneri i Kombëtares së 21-vjeçarëve Alban Bushi ka publikuar sot listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet e radhës së kuqezinjve. Më 7 qershor shpresat luajnë në transfertë kundër Turqisë për eliminatoret e Europianit, ndërsa me datë 9 dhe 11 qershor do të jenë dy sfida miqësore kundër Uellsit.

Nga 25 futbollistë të grumbulluar 4 janë debutues. Bëhet fjalë për Patrik Bardhin e Kastriotit, Serxho Kalaj i Lazio-s,  Blerton Sheji i Strugës dhe mbrojtësi i Skënderbeut, Jorgo Pullumbi. Ftesë për 3 ndeshjet e radhës ka marrë edhe talenti i Cheivos, Angelo Ndrecka, që së fundmi ka debutuar në “Seria A”.

Për ndeshjen me Turqinë, që është edhe më e rëndësishmja, trajneri Alban Bushi ka deklaruar:

“Realisht kemi zhvilluar dy ndeshje dhe kemi vetëm 1 pikë. Tani kemi sfidën e tretë dhe nqëoftëse nuk marin një rezultat pozitiv objektivat apo shpresat tona për të zënë një vend të parë ose të dytë do të jetë shumë të pakta. Turqit i njohim dhe shpresat për një rezultat të mirë janë të barabarta.”

Kombëtarja  U-21 është pjesë e Grupit 3 në eliminatoret e Europianit dhe ka vetëm 1 pikë pas dy ndeshjeve. Ndërkohë Turqia dhe Andora që mbajnë respektivisht vendin e parë dhe të dytë kanë zhvilluar vetëm nga një takim, ndërsa Austria, Anglia dhe Kosova ende nuk i kanë nisur sfidat e tyre.