Bypassi i Shkodrës mbetet pezull, Kreu i ARSH Qendro: Bashkia s’hap dritën jeshile për projektin e ri

12 Shtator 2018, 18:12

Prej pesë vitesh janë ndërprerë punimet në bypassin e Shkodrës. I pyetur për këtë ngërç, drejtori i ARSH Afrim Qendro tha se fondet janë pezull, pasi u hodh poshtë projekti i parë, i cili gjeti mosdakordësinë e komunitetit, ndërsa për projektin e ri, Bashkia Shkodër nuk po hap dritën jeshile.

Jemi në një ngërç që kryetarja e bashkisë  Shkodër përfundimisht duhet të shprehet nëse është dakord me projektin e ripunuar për të cilin ka rënë dakord në zyrën time. Jemi para dy alternativave , ose të vazhdojmë projektin, ta mbarojmë këtë objekt me përmirësimin që i kemi bërë ose të mbyllim kontratën, sepse buxheti i shtetit, ministria e transporteve  ka parashikuar fonde për këtë by pass. I bëj thirrje kryetares së bashkisë Shkodër të bashkëpunojë me autoritetin dhe përfundimisht ti japin zgjidhje këtij ngërçi.

Afrim Qendro, Drejtor i ARRSH

I menjëhershem ka qenë reagimi i Kryebashkiakës së Shkodrës Voltana Ademi. Ajo është shprehur se drejtori i ARRSH genjen, pasi sipas saj, bypasi i Shkodrës është i ndarë në lot dhe loti i dytë akoma nuk ka një projekt definitive nga ARSH. Ndër të tjera Voltana Ademi ka thënë se ka akoma shumë pronarë, të cilët nuk janë shpronësuar.

Këtë fakt e ka pranuar edhe vetë drejtori i ARRSH, Afrim Qendro. Ndërsa faji i hedhur sa në bashki e sa tek autoriteti i rrugëve nuk dihet se kur do të marrë fund, në mënyrë që të nisin punimet për përfundimin e projektit në bypasin e Shkodrës.