Çajrat bimorë, pija e duhur e çdo stine

28 Gusht 2019, 08:44

Çaji nuk është thjesht një pije që na ngroh apo na freskon sipas shijes së momentit. Në të vërtetë, është shumë më shumë se kaq, mund të konsiderohet pa frikë aleat i shëndetit dhe na ndihmon në luftën kundër shumë sëmundjeve, veçanërisht kundër kolitit, tensionit të lartë dhe nervave. Avantazhet e kësaj pije të shëndetshme janë me të vërtetë shumë. Jo vetëm ju ndihmon të dobësoheni, mban mendjen aktive dhe ul tensionin e gjakut por gjithashtu ndihmon për të gjetur ekuilibrin e duhur psikofizik, në të njëjtën kohë edhe për të zgjidhur disa shqetësime të trupit në mënyrë natyrale. Por, nëse deri më sot e keni konsideruar si pijen ideale për stinën e ftohtë të dimrit, na lejoni t'ju zbulojmë dhe t'ju sigurojmë se çaji është po aq i shijshëm dhe i dobishëm për trupin tonë edhe në ditët e nxehta të verës. Por pse janë të rëndësishme për t'u konsumuar çajrat edhe përgjatë sezonit veror, dhe si përgatiten çajrat e ftohtë të cilët ju freskojnë në mënyrë krejtësisht natyrale, na i zbulon një njohës i vërtetë çaji, Esat Pysqyli. ' Kur konsumojmë një çaj, konsumojmë natyrën, sepse janë pjesë e natyrës, janë fruta të egra që nuk kanë asnjë lloj përbërësi kimik ose helme të ndryshme që hidhen në to. Çajrat bio kryesisht ndahen në dy grupe: çajra me fruta të egra pylli që kanë karakteristika të veçanta dhe çajrat me gjethe dhe lule. Duke parë këto lloj karakteristikash, përcaktohet jo vetëm përbërja por edhe sasia e teinës, sepse çaji është si puna e kafes, pasi në qoftë se kafja ka kafeinë, çaji ka teinë, e cila ndikon në hollimin e gjakut, në rritjen e presionit në zemër dhe në rritjen e aktivitetit mendor dhe fizik'. Por a mund të konsumohen të gjitha llojet e çajrave pa përjashtim, edhe gjatë verës ashtu si në dimër? 'Të gjithë çajrat bëhen dhe të ngrohtë dhe të ftohtë. Duke u bërë të ftohtë, ne konsumojmë një pije freskuese me shumë elementë të mirë për organizmin tonë që na ndihmojnë për të rritur dhe aktivitetin tonë ditor. Çajrat janë gjithmonë njëlloj. Konsumi i tyre është i barabartë si në dimër ashtu edhe në verë. Në qoftë se në dimër i konsumojmë çajra të ngrohtë, në verë i konsumojmë të ftohtë, të gjitha llojet. Karakteristike është të përshtatet sipas kërkesës së konsumuesit dhe kohës që e konsumojmë. Nëse konsumojmë një çaj paradite dhe jemi tek moshat mesatare është e mira të konsumojmë çajra me përmbajtje të lartë teine, ndërsa gjatë pasditeve rekomandohen të konsumohen çajra me më pak teinë ose pa teinë fare dhe na ndihmojnë që dhe pushimin e natës të bëjmë më të qetë.' Si përgatitet një çaj i ftohtë? 'Zjerja kryhet sipas të njëjtës proçedure, por çaji i ftohtë shoqërohet me copa akujsh të cilët përzjehen mirë me çajin dhe me copa frutash, përgjithësisht portokall dhe limon, të cilat shërbejnë si garniturë.' Ndërkaq agronomi Zef Gjeta, si një njohës i mirë i natyrës dhe vlerave të saj 'Malësitë tona, të gjitha, nga veriu në jug janë të pasura me çajra të llojeve të ndryshme. Mbaj mend qëkur isha student, që çaji ishte gjithmonë në menu, një deri në dy herë në ditë. Ndërsa ne asnjëherë nuk e përdorim nëpër shtëpi dhe nga ana tjetër shkojmë në lokale nëpër zonat malore, dhe në lokal gjen çaj të paketuar, të filtruar dhe që vjen i gjithi nga jashtë, ndërkohë që ne rrimë nën hijen e një bliri, i cili është i mbushur plot me lule, na kënaq me erën e tij dhe në fund të vitit ne nuk gjejmë më çaj. Rekomandimi im për këto lokale është të kenë të dymbëdhjetë muajt e vitit çaj për ta shërbyer, madje pa lek. ' Sipas agronomit Gjeta, çajrat janë pija e dytë më e rëndësishme për t'u konsumuar. 'Natyrisht që ka shumë vlerë ajo shprehja popullore që 'Uji është pija më e mirë në botë.', por shtuar kësaj çajrat janë absolutisht në vendin e dytë për nga mirësia për t'u konsumuar dhe kjo vlen edhe më shumë për në verë, jo thjesht në dimër që ne na është bërë e zakonshme t'i konsumojmë. Në verë janë shumë të rëndësishme çajrat, por ka shumë rëndësi të zgjedhim një çaj mente në verë, i cili të freskon sapo e vendos tek buza, e kupton që ke bërë gjënë e duhur, e ndjen aromën, ajo fillon të liron nga frymëmarrja, por duhet të keni kujdes, mos pini 10 çajra, të mos i hidhni 3-4 bustina sheqer, mundësisht pa sheqer, mundësisht me mjaltë, mundësisht mjafton të pini 5-6 çajra pa sheqer fare dhe do t'ju shijojë shumë dhe do ju kënaqë trupin, pasi reagimi që bën trupi ndaj çajrave pa sheqer është jashtëzakonisht i mirë.'