Caktohen datat për provimet e maturantëve mbetës, kur plotësohet formulari për në fakultet

18 Gusht 2019, 14:28

TIRANE - Po afrojnë datat për provimin e maturantëve të cilët nuk arritën të kalonin në një apo disa nga provimet gjatë sesionit të parë në qershor. Po ashtu të drejtë kanë për të dhënë provimin dhe nxënësit e mbetur vjetor, të cilët nuk arritën të kalonin vitin për tu bërë pjesë e provimeve të maturës.

Provimet kësaj radhe kanë nga 3 ditë diferencë mes tyre, ku provimi i parë, ai i gjuhës së huaj nis me datë 27 gusht, tha për Report Tv, Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi.

“Me datën 27 gusht është provimi i parë, që është gjuha e huaj, i cili do të pasohet më pas me datën 30 me provimin e dytë, gjuha shqipe dhe letërsia. Me datën 3 shtator është matematika dhe mbyllet gjithçka me datën 6 ku janë lëndët me zgjedhje”-u shpreh drejtoresha e QSHA

Maturantët do tu nënshtrohen 4 provimeve,  ku secili do të zgjasë nga 2 orë e 30 minuta. Sipas drejtoreshës së QSHA, procedura do të jetë e njëjtë, si për maturantët e sesionit të parë, edhe për ata që nuk mundën të kalonin në provime por ndryshimi i vetëm  është se këta të fundit do të testohen në një ambient të përbashkët pavarësisht shkollave ku kanë studiuar.