Opozita e majtë pësoi një humbje dërrmuese në zgjedhjet lokale të vitit 1996-të dhe menjëherë nisën përçarjet e para. Poli i Qëndrës i Gjinushit,Imamit e Cekës akuzonte Partinë Socialiste se i “shiti” zgjedhjet duke bërë kompromis me Berishën. Arben Imami akuzonte Servet Pëllumbin dhe Luan Hajdaragën për një plan të ndyrë kompromisi me Sali Berishën në atë kohë President. Ky zhvillim i rëndësishëm në kampin e opozitës së udhëhequr nga PS pasqyrohej gjerësisht në shtypin e shkruar të datës 24 tetor 1996. Gazeta Shqiptare shkruan : “ Humbja,opozita në krizë? Zgjedhjet, Poli akuzon socialistët”. Në Gazetën Koha Jonë titulli kryesor ishte ky: “Poli:PS na hoqi zvarrë” duke cituar deklaratën e Arben Imamit. Edhe në Gazetën Republika kjo përçarje në opozitë merrte vëmendjen kryesore: “Akuza dhe çarje në krahun e majtë”. Ndërkaq në ZP botimin e Partisë Socialiste fokusi ishte tek balotazhi që do të zhvillohej në 9 bashki e dhjetëra komuna.




















