Çifti amerikan birëson fëmijën shqiptar me probleme shëndetësore, i siguron trajtim mjekësor

10 Tetor 2019, 13:55 | Përditesimi i fundit: 2019-10-10 13:56:29

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka përcjellë një histori suksesi nga Komiteti Shqiptar i Birësimeve, ku dy prindër amerikanë kanë birësuar një fëmijë me probleme shëndetësore dhe kanë marrë përsipër të gjithë trajtimin e duhur mjekësor.

Në një videon e publikuar, çifti amerikan tregon rrugën që ndoqën për të birësuar fëmijën shqiptar, teksa iu shihet entuziazmi në fytyrë.

Ata shprehen se fëmijës i kanë krijuar të gjithë kushtet për të marrë mjekimin e duhur, pasi ai kishte nevojë për ndërhyrje urgjente.  

“Më vjen mirë që vëmendja jonë ndaj veprimtarisë së Komitetit Shqiptar të Birësimeve, ka dhënë fryte të jashtëzakonshme në garantimin e mirëfunksionimit, rregullshmërisë dhe ligjshmërisë.

Pavarësisht vështirësive që kemi hasur, sërish puna e vazhdueshme është shndërruar në një bilanc pozitiv të historive të suksesit.

Një prej tyre, ka në qendër dy shtetas amerikanë Taylor Dampsey dhe bashkëshortja e tij Nikki Dampsey, të cilët birësuan një fëmijë të mrekullueshëm i cili fatkeqësisht shfaqi disa probleme shëndetësore që në lindje dhe fatmirësisht prindërit birësues po i kryejnë të gjithë operacionet dhe mjekimin e duhur pas tyre.”,-shkruan Gjonaj.  

Ndërkohë, në seancën plenare të ditës së djeshme, teksa foli lidhur me punën që po bëhet përmes Komitetit Shqiptar të Birësimeve, si një nga institucionet në varësi, Gjonaj paralajmëroi reformë transformuese sa i përket fushës së birësimeve dhe ndryshimeve në Kodin e Familjes.

    No videos found.