Çuçi me ekspertët izraelitë në Durrës: Shumica e objekteve nuk kanë dëme në strukturë!

6 Dhjetor 2019, 15:40

Drejtuesi qëndror i zyrës Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore, ministri Fuqiplotë Bledi Çuçi, inspektoi ditën e sotme bashkë me një grup inxhinierësh izraelitë disa pallate të dëmtuara nga tërmeti në zonën pranë plazhit të Durrësit. Shumë prej objekteve sipas këtyre inxhinierëve nuk kanë probleme nga ana strukturore, por vetëm dëmtim të mureve të cilat janë plotësisht të riparueshme.

“Këtu jemi në rastet kur nga vëzhgimi i inxhinierëve është konstatuar se objekti nuk është i rrezikshëm, por nevojiten ndërhyrje riparuese në mure, të cilat duhet të realizojë firma ndërtuese që ka bërë pallatin. Edhe sipas porosisë që dha Kryeministri, duhet kontaktuar firma ndërtuese përmes zyrës së urbanistikës në bashki, në mënyrë që të bëhen ndërhyrjet e domosdoshme. Gjëja më e rëndësishme këtu është fakti që pallati nuk ka probleme nga ana strukturore, por vetëm tek muret”, tha ministri Çuçi.

Më tej ai theksoi se ka një mobilizim shumë të madh për të përfunduar në kohë procesin e vlerësimit të objekteve, prandaj janë shtuar grupet e përbashkëta të ekspertëve.

“Ajo që është e rëndësishme është se nuk duhet të gënjehemi nga pamja e jashtme e objektit, pasi mund të ketë probleme të brendshme, ashtu sikundër nuk duhet të trembemi nga pamjet e jashtme me dëmtime të mëdha, të cilat mund të jenë vetëm në mure dhe jo strukturore”, tha ministri Çuçi .

Sipas inxhinierëve izraelitë që janë në vendin tonë situata post-tërmet është plotësisht nën kontroll dhe e menaxhuar mirë.