Debutuan në Champions me humbje, trajneri i Vllaznisë: Nuk e meritonim këtë rezultat

12 Shtator 2019, 13:39

Skuadra e Vllaznisë është mposhtur me shifrat minimale 0-1 ndaj Fortuna Hjoring në ndeshjen e parë të raundit final të Champions League. Skuadra shqiptare e cila arriti të bëjë historinë duke u kualifikuar në 32 skuadrat më të mira të Europës, pavarësisht lojës të mirë, nuk mundi të shmagte dot humbjen ndaj danezeve të cilat renditen në vendin e 13 në renditjen e UEFA-s.  

Pas pjesës së parë të mbyllur me porta të paprekura në fraksionin e dytë të lojës skuadra mike në ‘Loro Biriçi’ pati më shumë inciativë dhe si rrjedhojë arriti të fitonte një penallti. Nga pika e bardhë e 11-metërshit Moller nuk fali, duke realizuar golin që vulosi këtë sfidë.

Për pjesën e mbetur të lojës Vllaznia u përpoq të reagonte, madje në fund i shkoi shumë pranë golit, por që gjithsesi nuk arriti të realizonte. Pas ndeshjes trajneri Nikolin Leka dhe homologia e tij u shpreh:

Nikolin Leka, trajneri i Vllaznisë: “Për mënyrën se si u zhvillua loja të vjen keq për këtë rezultat, sespe ne kishim raste, i krijuam ata, u munduam të loznim mirë, por gabuam në një moment që nuk duhej, ishte një rast aksidental. Gjithsesi kishim mundësi të barazonin rezultatin, por nuk ndodhi. Duhet të pranojmë edhe fatin e keq ndonjëherë.”

Carrie Kveton, trajneria e Fortuna-s: “Është e rëndësishme që arritëm të realizonim një gol në transfertë, pior asgjë nuk ka mbaruar. Kemi zhvilluar vetëm ndeshjen e parë, tani të shohim se çfarë do të ndodhë në takimin e kthimit.  Në atë 90 minutësh padyshim që duhet të jemi më të saktë përpara portës.”

Ndeshja e kthimit e cila do të përcaktojë edhe skuadrën e kualifikuar për fazën e 1/8 do të luhet me 25 shtator në Danimarkë.