'Defender 21', vijon zbarkimi i mjeteve e trupave të ushtrisë amerikane në Durrës!

3 Maj 2021, 15:31

Vijon zbarkimi i mjeteve e ushtrisë amerikane në Portin e Durrësit, në prag të stërvitjes së NATO-s.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka publikuar një video nga porti i Durrësit ku shihet fluksi i madh i mjeteve ushtarake, një përqendrim që zyrtarët amerikanë thanë se nuk është parë në vendin tonë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Manovrat Defender-Europe këtë vit kanë përfshirë rreth 28,000 forca amerikane, aleate dhe partnere nga 27 vende për të kryer operacione të njëkohshme në më shumë se 30 zona trajnimi në më shumë se 12 shtete, nga Balltiku dhe Afrika në Detin e Zi dhe Ballkan.

Përveç ofrimit të gjashtë bazave detare, tokësore dhe ajrore, Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, do të angazhojë 1000 trupa në këtë stërvitje.