Deklarata lufte mes SHBA dhe Iranit, Trump: Gati të reagojnë me forcën e armëve

16 Shtator 2019, 11:23

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se SHBA janë "gati të reagojnë me forcën e armëve, nëse është e nevojshme” ndërsa pret konfirmimin se Irani qëndron pas sulmeve me dronë në uzinën e naftës dhe fushat naftëmbajtëse në Arabinë Saudite

Dje në mbrëmje, përmes një postimi në Twitter, Trump tha se “Ka arsye për të besuar se pas sulmeve qëndron Teherani, megjithatë ne presim verifikimin e fakteve”.Ministria e Jashtme e Iranit ka hedhur poshtë akuzat e SHBA-së dhe i ka quajtur si "të pakuptimta", dhe se “janë pretekst për t'u hakmarrë kundër republikës islamike”.

Po dje u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë, një takim i Këshillit të Sigurisë, ku morën pjesë Zëvendës Presidenti Mike Pence, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper.

Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, deklaroi se të gjitha opsionet, përfshirë edhe një përgjigje ushtarake, ishin në tryezë, por asnjë vendim nuk u mor.

Paralajmërimi i Trumpit për Iranin erdhi pasi një komandant i lartë i Gardës Revolucionare Iraniane, deklaroi se Irani ishte "gati për një luftë të vërtetë".

Amirali Hajizadeh, kreu i Forcës Hapësinore të Trupave të Gardës Revolucionare, paralajmëroi se bazat ushtarake amerikane ishin brenda rrezes së raketave iraniane.

Princi i Kurorës së Arabisë Saudite Mohamed bin Salman ka shprehur gatishmërinë e Mbretërisë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit të saj.