Dëmet nga tërmeti/ 14 shtete të BE ndihma për Shqipërinë, Soreca: Solidariteti është në zemër të Europës

5 Tetor 2019, 10:28 | Përditesimi i fundit: 2019-10-05 16:36:03

14 vende anëtare të Bashkimit Evropian si dhe 2 vende të tjera jo anëtare u solidarizuan menjëherë për t’i ardhur në ndihmë familjeve shqiptare të prekura nga lëkundjet e tërmetit të datës 21 shtator të këtij viti pas aktivizimit të të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE.

Në eventin për pritjen e këtyre ndihmave morën pjesë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian Luigi Sorecca, ambasadorë të vendeve kontribuese dhe drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe Rezervave të Shtetit, ndërsa ndihmat e ardhura iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit.

Ndërkohë Ambasadori i Italisë në vendin tonë Alberto Cutillo dhe ai i Sllovenisë,  Peter Japelj vlerësuan reagimin e autoriteteve shqiptare dhe veçanërisht Ministrinë e Mbrojtjes pas lëkundjeve të tërmetit.

Ndërsa kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri Luigi Sorecca nënvizoi gatishmërinë e vendeve, të cilët sipas tij, nisën lëvizjen vetëm 2 ditë pas aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE.

“Ne jemi krenarë për efikasitetin e mekanizmit tonë të BE për Mbrojtjen Civile. U deshën vetëm disa ditë pas aktivizimit të saj për të ngritur një ekip prej 8 ekspertësh dhe për ta dërguar atë në Shqipëri. Solidariteti është në zemër të Bashkimit Evropian. Qendra e Koordinimit për Reagimin e Emergjencave i përgjigjet kërkesës së qytetarëve tanë për një solidaritet të tillë përmes veprimeve konkrete, me efikasitet maksimal dhe burokraci minimale. Dhe jo vetëm brenda BE-së, pasi solidariteti nuk njeh kufi”, nënvizoi mes të tjerash ambasadori Soreca.

Ministrja Xhaçka falënderoi vendet kontribuuese për ndihmën në këtë moment të vështirë dhe siguroi qytetarët e prekur për rindërtimin e banesave të tyre.

 “Të gjitha godinat e shembura do të rindërtohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për emergjencat civile, por edhe nga fondi i solidaritetit që tashmë është ngritur. Ndërsa rindërtimi është sfida afatshkurtër, për t’ua lehtësuar sa më shumë situatën këtyre familjeve, sfida më e madhe që kemi përpara si shtet, si qeveri, është marrja e të gjithë masave për të qenë të përgatitur për situatat e ngjarjet që mund të vijnë si pasojë e fatkeqësive natyrore apo emergjencave civile. Anëtarësimi në Qendrën Evropiane për Koordinimin e Përgjigjes ndaj Emergjencave do të jetë vula e suksesit të kësaj pune që ne e kemi marrë shumë seriozisht, jo sepse është thjesht reforma e radhës, por sepse ka një ndikim të drejtpërdrejtë tek siguria, tek jeta dhe shëndeti i qytetarëve shqiptarë.”- u shpreh ministrja Xhaçka.

Ndihmat e ardhura nga vendet anëtare të BE si Austria, Bullgaria, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Hollanda, Hungaria, Italia, Kroacia, Letonia, Mbretëria e Bashkuar, Sllovakia, Sllovenia si dhe vendet joanëtare Mali i Zi dhe Norvegjia, përbëhen kryesisht nga pajisje e mjete për strehim të shpejtë dhe të përkohshëm, si dhe ekspertizë përmes specialistëve europianë të Emergjencave Civile.

    No videos found.