Statistikat e AMF: Shqiptarët kujdesen me shumë për makinën sesa banesën

23 Shtator 2019, 18:24 | Përditesimi i fundit: 2019-09-23 19:05:11

Seria e tërmeteve relativisht të fuqishëm që tronditën vendin tonë ditët e fundit sjell në vëmendje edhe një fenomen, që ekspertët e përsëritin vazhdimisht, por që nuk po bind shqiptarët. Sipas sizmologëve, tërmetet përbëjnë rrezikun më të madh kombëtar për një katastrofë natyrore në Shqipëri. Megjithatë, qytetarët shqiptarë nuk e kanë ende kulturën – gjerësisht të përhapur në vendet perëndimore – të sigurimit privat të pronave të tyre të patundshme-banesa.

Sipas statistikave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, nga janari deri në korrik vlera totale e primeve që janë paguar për të gjitha llojet e sigurimeve ka qenë 9.8 miliardë lekë, ose 81 milionë euro. Por për sigurimin nga fatkeqësitë e papritura ndaj të patundshmeve, ku përfshihet edhe zjarri e jo vetëm tërmetet janë paguar vetëm 13% e kësaj shifre, ose 1 miliard lekë. Madje, shifra e këtij viti është më e ulët se ajo e vitit të kaluar në të njëjtën periudhë, 8.1 milionë euro sivjet, kundrejt 9.8 mln eurove një vit më parë. Ndërkohë, për sigurimin e makinave janë paguar 6 miliardë lekë prime 50 milionë euro.

Pagesa vjetore e primit për dëmet nga fatkeqësitë në ndërtesa llogaritet nga 0.05% deri në 1% e vlerës së objektit të siguruar. Kjo do të thotë se një shtëpi me vlerë 70.000 euro do të sigurohej me 35-70 euro në një vit, duke shmangur mundësinë e mbetjes pa strehë të dëmtuarve. Kjo shifër do të ishte më e lartë për objekte më të shtrenjta. E megjithatë, në shumicën e rasteve, sigurimi bëhet pas kërkesave të bankave që kanë pranuar banesat si kolateral kredie.

Por një faktor për këtë situatë mund të jetë edhe mentaliteti shumë i përhapur në opinion se i takon shtetit të financojë dëmet e fatkeqësive natyrore. Dhe në shumë raste, me të vërtetë, qeveria është angazhuar direkt në këtë drejtim, duke krijuar barrë për buxhetin.