Dënimi për 8 protestuesit e Rrugës së Kombit, PD: Vendim politik, do të apelohet

21 Shtator 2019, 13:06

Me anë të kryetarit në Kukës Arif Rexhmati,  PD hedh akuza ndaj Drejtësisë duke thënë se po punon me dy standarde. Sipas Rexhmatit vendimi për të dënuar 8 protestuesit është dhënë politikisht pasi sipas tij ata nuk kanë bërë asnjë shkelje kur protestuan për traun në Rrugën e Kombit.

Në fundit Arif Rexhmati deklaron se avokatët e Ervis Oruçi, Armand Ademaj, Fatos Harulla, Mirdaim Nerguti, Lulzim Popa, Ahmet Tobli, Shpetim Todaj dhe Shaban Selmanaj, të cilët u dënuan do të apelojnë çështjen dhe një ditë do të shpallen të pafajshëm. Këta persona u dënuan për shkak se akuzohen nga Prokuroria për veprën  penale të “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimit të punonjësit policisë së rendit publik”.

"Të burgosur politik. I dënuan me 50 mijë lek gjobë e 1 vit shërbim prove. Kjo tregon standarde të dyfishtë nga gjykatat shqiptare. Padrejtësi për dënimin  e protestuesve të rrugës së Kombit. Këta të 8 nuk janë të dënuar por heronj. Do ti nderojmë dhe respektojmë. Ata nuk kanë kryer asnjë krim, të dënuar pa prova e fakte. Ata janë marrë natën duke i terrorizuar familjet e tyre. Këto janë qytetarë të nderuar të Kukësit. Ata kanë përfaqësuar kuksianët. Edhe Kryeministri ka thënë se jemi sjellë padrejtësisht me Kuksianët. Prokurori dhe gjyqtari nuk janë konsultuar me çështjen. Do bëhet ankimimi në gjykatën e Apelit. Një ditë do të jenë të pafajshëm. Në Shqipëri ka mungesë drejtësie. " ka thënë Rexhmati.