Dermatologia: Ruhuni nga dielli gjatë verës! Djegiet e rënda kthehen në kancer të lëkurës

25 Qershor 2019, 16:33

Ndërkohë që sezoni veror ka startuar tashme, duket se dhe shqiptarët janë ndërgjegjësuar duke marrë më tepër informacione, për shëndetin e tyre, në ditët verore.

Është rritur numri I shqiptarëve që shkojnë më tepër në vizita tek dermatologia për të marrë informacione për masat parandaluese për sëmundjet e lëkurës që shkaktohen nga dielli dhe jo vetëm.

Dermatologia Violeta Dajci është shprehur për Report Tv, se numri i vizitat për sëmundjet e lëkurës, nuk është rritur akoma në këtë periudhë verore.

"Numri i personave qe kujdesen për veten është shumë i rritur në krahasim me vite më parë. Nuk është rritur numri I personave me dëmtime ose patologji të lëkurës akoma në këtë periudhë, kjo për arsye të ndërgjegjësimit, apo të asaj pune qe ne kemi bërë më parë me ta, por është rritur shumë numri i personave qe vijnë përpara se tu fillojnë këto shqetësime", u shpreh Dajci.

Tre muajt veror njihen gjithmonë si më të ngarkuarit për sëmundjet e lëkurës, kjo si shkak I infeksioneve mykotike, bakteriale, djegia nga dielli apo dhe nga  patologjitë alergjike, si dhe nga ushqimet e ndryshme qe njerëzit konsumojnë në këtë periudhë.

Rekomandohet që te kujdesemi për veten, pas larjes në det apo pishina gjithmonë duhet të shplahemi me ujë të rrjedhshëm. Infeksionet bakteriale kryesisht ndodhin në moshat e vogla.

Çdo lloj infeksioni duhet te kontrollohet nga mjeket dermatologë.  Është detyre e prindërve te kujdesen për higjienën e fëmijëve.

Alergjitë që ndodhin nga dielli janë problematike, po ashtu dhe djegiet që shkaktohen nga dielli, ku në rastet që janë të rënda dhe shkaktohen disa herë në fëmijëri, në moshë të tretë kthehen në kancer të lëkurës.

"Djegiet ndodhin kryesisht tek personat që kanë tip lëkure shumë të bardhë, tek personat që dalin që ditën e parë dhe qëndrojnë të pambrojtur me kremra fotombrojtës por edhe që I marrin dhe rrezet e mesditës që në fakt janë shumë përveluese janë djegëse dhe janë rrezet UVA që jane dhe të rrezikshme sepse ato përvec djegieve që japin në periudha të ndryshme të jetës, në periudhën e tretë të jetës ose në moshen e trete japin kancer të lëkurës", u shpreh dermatologia.

 Po ashtu nishanet duhen të mbrohen ne veçanti, qe të mos kthen në melanoma.

 "Janë nishanet që njerëzit duhet t'i mbrojnë që më vonë këto lloj nishanesh të mos kthehen në  melanoma që është kanceri më vdekjeprurës për momentin në të gjithë botën", tha ajo.

Duke qenë se ditët e verës janë të nxehta, këshillohet që të përdoren kremra gjatë pushimeve për tu mbrojtur nga rrezet e diellit, sidomos gjatë orëve të ditës, kur rrezet e diellit janë më të forta.