Dhuna ndaj arbitrit në Peqin, reagon FSHF: Akt vandal, policia të marrë urgjentisht masat

14 Dhjetor 2019, 18:42 | Përditesimi i fundit: 2019-12-14 19:01:45

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar me anë të një njoftimi në faqen zyrtare në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj arbitrit në ndeshjen e kategorisë së parë mes Shkumbinit dhe Dinamos. Arbitri Sokol Bebja në këtë ndeshje u godit me grushte nga disa tifozë vendas pas përfundimit të ndeshjes, e cila u mbyll 1-1.

Në reagimin e saj FSHF i bën thirrje policisë të marrë masat dhe të dënojë agresorët sipas kodit penal, i cili në këtë rast jep nga 1 deri në 3 vite burg.

Postimi i FSHF-së

“Federata e Futbollit dënon me ashpërsi aktin vandal të dhunimit të arbitrit Sokol Bebja në ndeshjen Shkumbini-Dinamo në qytetin e Peqinit.

FSHF i bën thirrje Policisë së Shtetit të marrë urgjentisht masat për të arrestuar agresorët në fjalë dhe kërkon nxjerrjen e tyre të menjëhershme para ligjit, bazuar në nenin 274/A të Kodit Penal. FSHF garanton se do ta ndjekë deri në fund këtë çështje në të gjitha instancat e drejtësisë.

FSHF nuk do të lejojë në asnjë çast nëpërkëmbjen e autoriteteve sportive dhe ndërhyrjet e huliganëve në dëm të cilitdo në ambjentet sportive.”

    No videos found.