Domate të mbushura me kimë nga zonja Albana

29 Qershor, 11:29 | Përditesimi: 29 Qershor, 11:29

Domate të mbushura me kimë

Përbërësit:

  • 8 domate mesatare
  • 500 gr mish i grirë
  • 3 qepë mesatare
  • 2 filxhanë kafeje vaj
  • 1 lgj salcë e koncentruar
  • 4 filxhanë kafeje oriz
  • Kripë, piper i zi
  • Majdanoz i freskët

Përgatitja:

Zgjidhni domate të pjekura, por të forta. Lajini mirë dhe prituni pjesën e sipërme në formë kapaku. Me kujdes hiqni tulin e domateve, pa dëmtuar lëkurën, dhe kullojeni tulin që të largojë lëngun e tepërt. Në një tenxhere ngrohni vajin dhe kaurdisni qepët e grira hollë derisa të zbuten. Shtoni mishin e grirë dhe vazhdoni kaurdisjen derisa të ndryshojë ngjyrë. Shtoni tulin e domateve të grirë, kripën, piperin dhe pak ujë. Lëreni të ziejë derisa mishi të jetë gati. Më pas shtoni orizin e larë dhe të kulluar. Përziejeni dhe ziejeni edhe 2–3 minuta, vetëm sa orizi të marrë shijen e mbushjes, pa u gatuar plotësisht. Mbushni domatet jo deri në buzë, pasi orizi fryhet gjatë pjekjes. Vendosini në një tavë, spërkatini me pak kripë, shtoni rreth një gotë lëng mishi ose ujë në tavë dhe vendosuni kapakët. Piqini në furrë të parangrohur në 180°C për 45–60 minuta, derisa domatet të zbuten dhe orizi të piqet plotësisht. Në fund spërkatini me majdanoz të grirë hollë dhe shërbejini të ngrohta.

MC/Shqiptarja.com