'Dopietë' e Ronaldos, Juventus s'pyet për Crotone-n! Fiton edhe Sevillia

23 Shkurt 2021, 12:08 | Përditesimi i fundit: 2021-02-23 12:08:36

Juventus është rikthyer te fitoret në Seria A një javë pas humbjes me Napolin. Skuadra kampione e Italisë ka fituar pa asnjë mundim kundër Crotone-s, të cilën e mposhti 3-0.

Në këtë 90 minutësh shkëlqeu Cristiano Ronaldo, i cili realizoi ‘dopietë’ me kokë që në pjesën e parë. Portugezi zhbllokoi në minutën e 38, ndërsa pak para se skuadrat t’i drejtoheshin dhomave të zhveshjes dyfishoi. Më dy golat Ronaldo parakalon Lukakun përsa i përket listës së golashënuesve, 18-17 për fituesin e pesë herë ‘Topit të Artë’.

Sa për kronikë golin e tretë për Juventusin e realizoi McKennie. Pas ndeshjes trajneri Pirlo e ka cilësuar Juventusin si skuadrën anti Inter për titullin, ndërkohë që bardhezinjtë u ngjitën në vendin e tretë me 8 pikë më pak se zikaltërit, por kanë një ndeshje më shumë për të zhvilluar.

Në La Liga Sevillia nuk e ka gabuar ndeshjen e prapambetur kundër Osassuna-n, duke fituar 0-2. Për skuadrën e Lopetegui-t realizuan Diego Carlos në pjesën e parë dhe De Jong në të dytën. Me këtë fitore ata janë ngjitur në vendin e tretë me 48 pikë, 1 më shumë se Barcelona e cila renditet e katërta.