Dosja 'Basha' ende e 'ngrirë' në prokurori për tre ditë mbaron afati hetimor i çështjes

9 Dhjetor 2019, 19:59

TIRANË- Çështja penale kundër kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, vijon të qëndrojë pezull në zyrën e drejtueses së prokurorisë së Tiranë.

Datë 12 dhjetor 2019 rezulton të jetë dhe afati i fundit hetimor për këtë çështje, ku prokuroria e Tiranës brenda këtyre tre ditëve duhet të marë një vendim përfundimtar, për dërgimin ose jo të dosjes hetimore në gjykatë. Nëse dosja nuk përcillet në gjykatë, atëherë duhet patjetër të shtyhet afati hetimor, por cili nga prokurorët do e marë vendimin për shtyrje afati? Kjo situatë e paqartë proceduriale ku po futet dosja kundër Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishit, tashmë nuk mund të zgjidhet nga prokurorët e çështjes. Kjo pasi prokurorët tashmë e kanë marë vendimin e tyre për dërgimin e dosjes në gjykatë dhe nuk mund të bëjnë hapa mbrapa, duke nxjerë “nul” vendimin e tyre për dërgimin e dosjes në gjykatë. Dosja ku i pandehur është marë Lulzim Basha, vijon të përshtjellohet nga paqartësia, pasi nuk dihet me saktësi nëse kjo çështje do të mbërijë ndonjëherë në dyert e gjykatës ose jo. Deri në këtë fazë, dosja vijon të qëndrojë pezull në zyrën e drejtuesit të prokurorisë së Tiranës.