Drafti për financimin e partive/ Hajdari-Gjoni për Report Tv: S'ka kontestime për këtë pikë!

23 Tetor 2019, 17:34

TIRANE-Report Tv zbardhi sot draftin e pjesshëm të grupit të punës së komisionit për Reformën Zgjedhore për financimin e partive politike. Kryetarja e grupit Demokrat në Kuvendin e Shqipërisë, Rudina Hajdari në një intervistë për gazetaren e Report Tv, Klesiana Omeri u shpreh se ky draft, pra i financimit të partive politike nuk ka kontestime nga opozita e re.

"Në takimin e fundit komisioni për reformën zgjedhore ra dakord që të merremi me pikat që janë më pak problematike, që janë jo të kontestueshme për opozitën dhe PS-në. Ky draft është një draft i pjesshëm nuk merret me cështje thelbësore, por me disa pika që nuk janë të kontestuara nga palët. Prandaj dhe është bërë propozimi, që propozimi i parë që do të vijë në komision përsa i përket rekomandimeve të OSBE do të merret me pikat më pak të kontestueshme" tha Hajdari.

E pyetur se përse nuk është pjesë e grupeve të punës, Hajdari e mohoi duke theksuar se do të jetë pjesë e grupit që do të diskutojë për ndryshimin e sistemit. "Unë do të merrem me ndryshimin e sistemit, do të jem në atë grup. Në draftin që ka dalë nga Kuvendi, besoj që është një problem teknik. Patjetër që do të jem e përfshirë, pasi jam bashkë-kryetare" tha ajo.

Hajdari vijoi që të këmbëngulë që nuk do të heqë dorë nga kushti që reforma zgjedhore të miratohet në një fazë dhe jo dy, sikur kërkon shumica socialiste dhe që të përfshijë edhe ndryshimin e sistemit, teksa propozimet opozita e re do i publikojë në nëntor. "Brenda nëntorit do të kemi një propozim konkret të opozitës së re për ndryshimin e sistemit. Ne jemi për heqjen e fuqive të kryetarëve të partive". Edhe deputeti Ralf Gjoni në një intervistë për Report Tv tha se opozita është e vendosur për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Nesër do të mblidhet Komisioni për Reformën Zgjedhore.