Durrës/ Shpërthim tritoli pranë banesës së efektives së policisë, disa të shoqëruar

26 Janar 2020, 10:19

Një automjet është hedhur në erë me tritol mbrëmjen e sotme në qytetin e Durrësit. Automjeti tip “Audi” rezulton të jetë në pronësi të një efektiveje policie. Burime për Report Tv bëjnë me dije se, lënda plasëse është hedhur nga jashtë shtëpisë në afërsi të makinës, e cila ka qenë e parkuar në oborrin e banesës së efektives së policisë, të identifikuar si Ornela Buraku. Mësohet se efektivja e policisë ishte beqare dhe jetonte me prindërit e saj.

Mësohet se, nga shpërthimi nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale. Burime për Report TV, bëjnë me dije se janë shoqëruar në mjediset e komisariatit persona të dyshuar, të cilët janë pyetur lidhur me ngjarjen, por ende nuk ka ndonjë rezultat konkret. Po punohet me kamerat e zonës për të zbuluar personat që kanë qarkulluar në zonë mbrëmjen e djeshme, që mund të ndihmojnë për të rënë në gjurmët e autorëve.

Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ndërkaq, një grup pune i përbërë nga Prokuror, ekspertë xhenier dhe inspektorë të luftës kundër krimit po heton në dy pista: ajo e vendosjes së lëndës plasëse për shkak të detyrës, si dhe pista e ndonjë konflikti të mundshëm me banorët e lagjes.

Po ashtu, mësohet se efektivja, Buraku është punonjëse e njësisë operacionale në pranë DVP Durrës.