Dy ditë pas tërmetit/ Çako flet me gjuhën e shifrave: 50 banesa të pabanueshme, 164 pallate të dëmtuara! 'Shteti në këmbë'

23 Shtator 2019, 16:20 | Përditesimi i fundit: 2019-09-23 17:47:35

TIRANË- Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako në një intervistë për Report Tv ka bërë bilancin e pasojave të lëna nga tërmeti 5.8 ballë që trondit Shqipërisë dy ditë më parë. Ai ka deklaruar se si pasojë forcës së tërmetit, 50 banesa, të lokalizuara kryesisht në zonat rurale, kanë marrë dëme të mëdha duke u bërë të pabanueshme, e ndërsa 1528 të tjera kanë pësuar plasaritje si pasojë e lëkundje.

"U bën më shumë se 48 orë nga momenti i tërmetit dhe nga ky moment të gjithë strukturat e shtetit janë në terren në kushtet e kontrollit, konstatimit dhe evidentimit të dëmeve. 140 qytetarë me dëmtime të lehta, nuk ka pasur në asnjë rast humbje të rënda apo humbje jete nga qytetarët edhe pse intesiteti i tërmetit ishte i fuqishëm. 1528 objekte, kryesisht banesa të dëmtuara nga ku 50 banesa jashtë funksionit", tha Çako në një lidhje telefonike në Report TV.

Ndërkohë, ka pësuar dëme edhe 164 pallate, por ende nuk është specifikuar nëse këto ndërtesa i përkasin periudhës të para apo pas viteve 1990, për të pasur një panoramim më të qartë të situatës, çka do të ndihmonte për të dalë në një përfundim mbi cilësinë e ndërtimit në ditën e sotme. Çako ka vënë theksin se të gjitha institucionet janë "ngritur në këmbë" ku po bëhet proces i inspektimit dhe evidentimit të problemit për të gjetur më pas edhe zgjidhjen. Sa i përket zonave më të prekura, Çako tha se janë fshatrat përreth epiqendrës së tërmetit, kryesisht Fllakë, Ndoqi, Maminasi.

"164 pallate të plasaritura me dëme të pjesshme, ku po verifikohen nga inxhinierët. I takon ekspertëve për të bërë analizën  dhe vlerësimin në terren, të kohës së ndërtimit, metodologjisë, por edhe një sërë analizash të tjera për të përcaktuar qartë edhe shkaqet e ndërtimit. Banesat e dëmtuara rënë janë banesa rurale ose të vjetra që konstruksioni është jo i duhuri nga tërmetet. Zonat më problematike janë fshatrat e Tiranës dhe Durrës, e Fllakës dhe e Kepit të Rodonit, e Ndroqit, Maminasi", përfundoi kreu i Emergjencave.