Dy vëllezërit indianë ishin në Rinas kur i arrestuan kunatin, INTERPOL: Nuk janë në kërkim

26 Mars 2019, 18:25

Në të njëjtën ditë që indiani, Patel, i akuzuar për pastrim parash u arrestua në Rinas në tentativë për tu arratisur, bashkë me të kanë qenë edhe kunetërit e tij, vëllezërit Sandesara, të cilët kanë flutuar me charter ng aTirana në Dubai pa asnjë problem ligjor. Burime për Shqiptarja.com thanë se nuk ka pasur asnjë urdhër arresti ndërkombëtar për ndalimin e tyre.

***

Më 20 mars, në aeroportin e Rinasit, u arrestua Hitershkumar Patel, shtetas indian, rezident në Nigeri. Ai akuzohet nga gjykata indiane për pastrim të parave në shuma të mëdha në bashkëpunim me shtetas të tjerë indianë. Gjykata e Tiranës vendosi ndaj tij më 23 mars 2019, masën e sigurimit të arrestit me burg me afat 40 ditor deri në kryerjen e procedurave të ekstradimit për në Indi, duke e vlerësuar të ligjshëm arrestimin e tij nga policia në Rinas.

Bashkë me Patel, në Rinas kanë qenë edhe dy vëllezërit indianë Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara. Vëllezërit, të cilët kanë biznese në fushën e ndërtimit në Shqipëri dhe që kanë marrë nënshtetësinë shqiptare, u përfolën në mediat shqiptare, se ishin persona të kërkuar për të njëjtën vepër penale, të pastrimit të parave. Por burime të sigurta nga Interpol Tiranë, thanë për Shqiptarja.com se emri i dy vëllezërve indianë nuk ka qenë kurrë në listën e personave të kërkuar. Prandaj, në ditën që ata kanë qenë me kunatin në Rinas, kanë vijuar të qetë udhëtimin charter nga Tirana për në Dubai, pasi nga verifikimet që policia bëri, nuk rezultonin persona në kërkim. I vetmi që ndodhet në qeli është Patel, kunati i tyre, i cili sipas gjykatës indiane akuzohet se në vitin 2002ka bërë pastrim parash në vlerën 1 miliardë dollarë, përmes kompanisë Sterling biotech Limited. Patel,  martuar, baba i dy fëmijëve, dhe i padënuar më parë, jeton në Nigeri.