E moshuara 40 vite në vetmi: Sot mezi mbajnë një të shëndoshë, jo mua të sëmurën. Këtu dua të vdes...por mos t'më zë shtëpia brenda

24 Gusht, 16:21

 

86-vjeçarja Kije Çela nga fshati Patin i Bashkisë së Klosit jeton e vetme, pasi bashkëshorti i ka vdekur rreth 40 vite më parë. Nga martesa e saj ajo nuk ka fëmijë, duke bërë që të jetojë e vetme që pas vdekjes së bashkëshortit rreth katër dekada. Kije Çela thotë se ato pak të afërm që ka e ndihmojnë e ndonjëherë edhe bashkëfshatarët, por gjendja e saj vijon të jetë si mos më keq, pasi nga pensioni prej 7 mijë lekësh, 5500 prej tyre duhet t’i blejë ilaçe çdo muaj.

"Kam 40 vjet e vetmuar. Tani kam mbetur se kam qenë me këmbë e me dorë deri para 20 vitesh. Nuk dal, me zor me shkop deri tek dera. Inshallah më ndihmojnë. Vijnë komshijtë. Më sjellin dru ose një shishe me ujë", thotë ajo.

86 vjeçarja Kije Çela, nuk kërkon televizor e as lavatriçe, por vitet e mbetura të jetës së saj t’i kalojë në një banesë të sigurt. Ajo na tregon se banesa është drejt rrënimit dhe se ka frikë që e zë brenda. Çatia e godinës  është e dëmtuar e kur ka reshje shirash, i gjithë uji bie mbi të.

"Nuk dua të shkoj në tjetër vend. Tani janë duke u mërzit kur ju shkon një njeri i shëndoshë dy ose tre netë, jo të shkoje një njeri i sëmurë. Kërkoj të më rregullojnë shtëpinë jo gjë tjetër. Më shumë e kaloj shtrirë sepse nuk më mban kurrizi e koka. Nuk jam duke dashur televizor. Unë jam në hall se mos më zëre brenda.  E shikon tavanin. I thash një burri ma rregullo, por nuk zuri", thotë e moshuara.

Për fat të keq banesa e Kije Çelës është e vetmuar nga banorët e tjerë, e ajo shpreh edhe një shqetësim, frikën nga sulmet e kafshëve të egra. E moshuara jeton me shpresën se dikush do të afrohet ta ndihmojë.

E.D./Shqiptarja.com 

Kategori të tjera