E rëndë në Durrës/ Ngacmoi seksualisht një 8-vjeçare, arrestohet i riu, Prokuroria e Policia sqarojnë ngjarjen

19 Korrik 2019, 16:02

Durrës-Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Arapaj, ku një vajzë 8 vjeçare është ngacmuar seksualisht nga dy të rinj, ku njëri prej tyre 16-vjeçari A.R është arrestuar ndërsa tjetri, 13-vjeç N.K po procedohet në gjendje të lirë.  

Ngjarja ka ndodhur më 4 korrik në një shkollë 9-vjeçare në fshatin Arapaj. Dy të rinjtë e kanë çuar minorenen në katin e 4 të shkollës ku e kanë ngacmuar atë. Më pas ajo është gjendur nga mësuesit të cilët kanë njoftuar prindërit. Këta të fundit kanë denoncuar në polici dhe më pas ka ardhur edhe shoqërimi i dy të rinjve. Sipas policisë vajza i është nënshtruar vizitës mjekësore dhe ka rezultuar se nuk ka pasur marrëdhënie seksuale me të.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Prokuroria e Durrësit ku sqaron se çështja në fjalë është e regjistruar si ngjarje, ndërsa shton se me të miturën nuk është tentuar të kryhet vepra penale e “Marrëdhënieve seksuale me të mitur”. Prokuroria sqaron se rasti bëjë me persona të mitur të përfshirë në këtë ngjarje dhe për këto arsye bazuar në parashikimet e Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur nuk duhet bërë publike.

Po kështu për këtë ngjarje ka bërë një reagim sqarues edhe Policia e Shtetit, ku thotë se ngjarja nuk është mbajtur e fshehtë por për shkak se në të janë të përfshirë të mitur është publikuar shkurt në faqen zyrtare të policisë. Më tej në sqarim thuhet se në Komisariatin e Policisë Durrës është paraqitur dhe ka bërë kallëzim e ëma e vajzës, e cila ka shpjeguar se rreth dy persona kanë kryer veprime të turpshme me vajzën e saj. Sipas sqarimit, Policia e Durrësit menjëherë ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, duke e marrë në pyetje vajzën në prani të psikologes dhe nënës së saj, si dhe është komunikuar me prokuroren e gatshme pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Policia njofton se një ditë pas ngjarjes ka arrestuar 16-vjeçarin ndërsa i mituri tjetër është nën moshën e përgjegjësisë penale dhe është ndjekur në gjendje të lirë.

Kujtojmë se kjo ngjarje vjen disa kohë pas ngjarjes tronditëse që shokoi opinionin publik ku një vajzë 14-vjeçare u abuzua seksualisht nga disa moshatarë.

E.L./Shqiptarja.com